Avokati Arianit Koci ka kritikuar Republikën e Shqipërisë që nuk po i mbron sa duhet të drejtat e shqiptarëve që gjenden jashtë territorit të saj.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Shqipëria duhet t’i pajis të gjithë qytetarët e Kosovës me shtetësi shqiptare.
Sipas tij, kosovarët nuk po diskriminohen vetëm prej Evropës, por edhe prej Shqipërisë.
“Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj – parasheh neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. A po e bën këtë? Jo sa duhet! Shumicës së politikanëve kosovarë, estradës, afaristëve, dhe personave që kanë gjetur lidhje, i ka pajisë me shtetësi/pasaporta shqiptare. Rrjedhimisht, ata nuk kanë nevojë me u pajisë me viza. Pse ky diskriminim? Pse nuk na pajisin të gjithëve me shtetësi shqiptare? A nuk jemi një? Kosovarët nuk po diskriminohen vetëm prej Evropës por edhe prej Shqipërisë!”, ka shkruar Koci.