Kërstiq: Varësia nga Lista Serbe e kthen ndikimin e Beogradit

Analisti dhe gazetari nga Mitrovica e Veriut, Branislav Kërstiq, thotë se Beogradi është kthyer në lojë me Qeverinë e re, për shkak të varësisë që ka ekzekutivi nga Lista Serbe.

Ai i ka kualifikuar ndërmarrje të disa akterëve, ndryshimet e prodhuara në qeverisjen e vendit.

“Jam i sigurt që votimi i Qeverisë së re është një lojë e grupeve euroatlantike të interesit me ndihmën e politikanëve në rajon. Ata u angazhuan për të suspenduar një revolucion demokratik, pasi në këtë mënyrë e suspendojnë edhe pavarësinë e Kosovës. Kurti ishte kryeministri i fundit i pavarur në rajon. Tani dikush tjetër vendos për ardhmërinë e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Kërstiq për KOHËN.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli ka stagnuar, që kur Qeveria e kaluar vendosi taksën prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia.

Për më shumë se dy vite nuk u arrit asnjë marrëveshje e re, ato që

janë arritur u zbatuan me shumë vështirësi, ose nuk u zbatuan fare, ndërsa kohë pas kohe pati edhe tensionime dramatike.

Afatet e vëna për zbatimin e marrëveshjeve janë shkelur disa herë për shkak të obstruksioneve nga shteti serb, që ka zgjedhur t’i implementojë vetëm ato pika për të cilat ka interes.

Në terren vazhdojnë të operojnë organet paralele të Serbisë dhe liria e lëvizjes në pjesën veriore është e kufizuar, pasi nuk është hapur ende Ura mbi Ibër.