Këshilltari i Erdoganit: Kemi ofruar garancion shtetëror për lirimin me kusht të Thaçit

Këshilltari për Ballkanin i presidentit turk, shqiptari Sabri Demiri, ka thënë se Turqia është ndër shtetet e para që ka ofruar garancion shtetëror për lirimin me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Haga.

Në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Demiri ka shtuar se në rast se gjykata vendosë që Thaçi të gjykohet në liri, në këtë rast ish-kreu i UÇK-së do të mund të qëndronte në Turqi.

“Qëndrimi i Turqisë ka qenë çdoherë kundër akuzimit të liderëve të zgjedhur nga populli me zgjedhje demokratike. Mirëpo edhe pse tash nuk mund të përzihemi gjatë procesit gjyqësor, ne si Turqi kemi dërguar edhe garanci në Hagë, që në qoftë se caktohet një vendim që gjyqi të vazhdojë në liri, Thaçin mund ta kemi mysafir në Turqi”.

“Prej tyre nuk kemi marrë përgjigje konkrete. Kjo ka qenë dy apo tre muaj pasi filloi procesi gjyqësor ndaj tij”, ka treguar Demiri.

“Ishin disa shtete që kishin shprehur këtë dëshirë dhe ne ishim të parët. Kemi filluar me Ministrinë e Drejtësisë së Turqisë dhe Ministrinë e Jashtme. Jemi të parët si shtet që kemi shprehur këtë dëshirë”.