Këshilltari i Thacit përplaset me eurodeputeten gjermane: “Jeni histerike”, “Zotëri kujdes fjalët”

Artan Behrami, këshilltar i presidentit të Kosovës është përplasur ashpër me raportuesen gjermane për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon Taubadel.

Reagimin e ashpër të Behramit e ka nxitur një qëndrim i eurodeputetes gjermane e cila i bënte thirrje presidentit të vendit që të mos luaj me Kushtetutën e Kosovës në kohën e pandemisë COVID-19 dhe që të mendojë dy herë përpara se të marrë vendim për shkarkimin e qeverisë Kurti.

Behrami i ka thënë politikanes gjermane se askush nga Bashkimi Evropian s’ka reaguar kur Kuvendi i Kosovës mbulohej me tym e gaz lotësjellës, derisa i ka thënë eurodeputetes se është hedhur në histeri, pas votimit të mocionit të LDK’së që rrëzoi Albin Kurtin nga pushteti.

Këshilltari i Thaçit tutje ka thënë se është e turpshme se si von Cramon Taubadel anon nga njëra palë.

Pa reaguar pas akuzave të këshilltarit të Thaçit nuk ka qëndruar eurodeputetja, e cila i ka bërë thirrje Behramit që të ketë kujdes për fjalët që përdor në një debat të zakonshëm.

“Liria e mendimit është “histeri”? Interpretim shumë interesant në një debat të zakonshëm. Sigurohuni që po i përdorni kujdesshëm fjalët tuaja zotëri”, ia ka kthyer eurodeputetja gjermane.

Behrami nuk është ndalur dhe ia ka kthyer përsëri eurodeputetes gjermane, duke e akuzuar madje për shpërndarje të lajemve të rreme dhe përhapjes së panikut. Sipas këshilltarit të Thaçit duhet pasur përgjegjësi edhe në shprehjen e opinionit.

Këshilltari i presidentit ka thënë se edhe 82 deputetët që kanë votuar për rrëzimin e Ablin Kurtit kanë të drejtën e tyre për t’u shprehur lirshëm, ndërkohë ka pyetur eurodeptueten gjermane nëse asaj i intereson vetëm Albin Kurti.

“ Të menduarit lirshëm ka një përgjegjësi. Ju keni shpërndarë lajme të rreme, histeri dhe panik duke abuzuar me rolin tuaj si deputete e Parlamentit Evropian, duke sulmuar deputetët e zgjedhur në mënyrë demokratike. A nuk është vendimi i tyre liri e shprehjes. A kujdeseni për perspektivën e tyre, apo iu intereson vetëm Albin Kurti”, ka shkruar Behrami.

Viola von Cramon Taubadel ndërkohë i ka kërkuar Behramit që t’i tregojë opinionit të gjërë se në cilin rast ka shpërndarë “lajme të rreme”.

Eurodeputetja gjermane vazhdimisht ka bërë thirrje që Lidhja Demokratike e Kosovës të mos e procedonte mocionin e mosbesimit për qeverinë Kurti, pasi sipas saj, rrëzimi i qeverisë në kohën e pandemisë do të ishte katastrofal jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin.

Reagimet e saj kundër rrëzimit të qeverisë që drejtohej nga Kurti kanë qenë të njëpasnjëshme.

Ndërkohë tashmë kur Kurti është rrëzuar nga mocioni i LDK’së, Taubadel kërkon që Kurti të vazhdojë të mbetet në detyrë gjatë kohës së pandemisë, duke i thënë Thaçit që ta mendojë dy herë nëse do ta shkarkojë qeverinë aktuale.

Në Kosovë megjithatë presidenti i vendit ka filluar konsultimet me partitë politike për të parë se si do të vazhdohet tutje pas rrëzimit të Kurtit. Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha partitë tjera duan një qeveri në legjislaturën aktuale, pa shkuar në zgjedhje të reja. Derisa vetë Kurti thotë se zgjedhjet e reja janë të pa shmangshme.