Katër shtetas serbë “pelegrinë” të arrestuar nga Policia e Kosovës, kanë hyrë në territorin e vendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Raportohet se ata kishin për qëllim spiunazhi dhe krijim të destabilitetit.
Në mesin e të arrestuarve sipas Qeverisë një prej tyre ishte toger i policisë së Serbisë dhe tjetri kapiten i ushtrisë së këtij vendi.
Tëvë1 ka siguruar emrat dhe dokumentet, e katër të arrestuarve, si dhe kartën e njërit nga të arrestuarit të policisë serbe.Të arrestuarit janë: Branko Rakic me vendbanim në Mitrovicë te veriut, Nemanja Vamokiç toger i policisë me vendbanim në Novi Sad, Pavle Kragoviç, me vendbanim në Beograd, Millovan Steviq, kapiten dhe agjent i ushtrisë serbe me vendbanim në Mitrovicë të veriut.
Për arrestimin e tyre ka njoftuar edhe Qeveria në detyrë e Kosovës, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Aty thuhet se arrestimi i këtyre “pelegrinëve” dhe sulmet në veri kërkon rritje të vigjilencës së institucioneve.
“Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje. Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë”, thuhet në komunikatë.