Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka gjobitur me mbi 4 milionë euro, 14 kompani të derivateve të naftës, pasi është vërtetuar se ato kanë manipuluar me çmime të derivateve të kësaj lënde në fund të vitit 2018. Këto kompani kanë qenë nën hetim nga AKK që nga viti 2019.
Kompanitë që janë gjobitur janë ALBA PETROL GROUP, AL-PETROL, EX FIS, HIB PETROL, LAB-OIL, PETROL OTI SLOVENIJA L.L.C, PETROL COMPANU, ALFA TRADE, BENITA COMPANY, N.P.T FAT OIL, IP-KOS, N.P.T. IBRAHIMI, PATRONI, VEDA-2 PETRO.
Gjoba më e lartë i është shqiptuar kompanisë, HIB-PETROL, pra mbi 1 milion euro, derisa më e ulëta, N.P.T IBRAHIMI, në vlerë rreth 34 mijë euro.
Kryetari i AKK’së, Valon Prestreshi ka thënë se hetimi lidhur me këtë rast ka nisur në fillim të vitit 2019, kur ishin ngritur dyshime se operatorët e shitjes me pakicë të derivateve të naftës nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale me rastin e caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.
Atë kohë, dyshohej se çmimi i derivateve në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjtë përkundër uljes së çmimit në berzën ndërkombëtare.