Qeveria kineze i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkaktim të panikut në lidhje me përhapjen e koronavirusit, nga i cili tashmë kanë vdekur më shumë se 360 njerëz.
Kjo akuzë erdhi pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për shpalljen e gjendjes emergjente të shëndetit publik dhe ndalimit të hyrjes për personat që e kanë vizituar Kinën në dy javët e kaluara.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying, tha se veprimet e Shteteve të Bashkuara nuk shërbejnë për asgjë tjetër, përpos për krijim dhe përhapje të frikës, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Gjatë një konference për gazetarë, zyrtarja kineze tha se Shtetet e Bashkuara kanë përhapur frikë në vend se të ofrojnë asistencë, duke shtuar se ky vend ishte i pari që vendosi ndalim të hyrjes për udhëtarët kinezë dhe i pari që këshilloi për tërheqje të pjesshme të stafit të ambasadës.
“Janë saktësisht vendet e zhvilluara si Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë kapacitete të fuqishme për parandalimin e epidemive, që janë vendosur në ballë të marrjes së masave të tepërta, në kundërshtim me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, tha kjo zëdhënëse.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se mbyllja e kufijve në fakt mund ta shpejtojë përhapjen e koronavirusit, nëse udhëtarët hyjnë në shtete tjera në mënyrë ilegale.