Ministri i Jashtëm i Tajvanit tha të martën se Kina po përdorte stërvitjet ushtarake që nisi në shenjë proteste kundër vizitës së Nancy Pelosit, si një justifikim për t’u përgatitur për një pushtim të ishullit të vetëqeverisur.
Joseph Wu tha në një konferencë shtypi në Taipei se Tajvani, i cili pretendohet nga Kina si i veti, nuk do të frikësohej edhe pse stërvitjet vazhduan dhe Kina shpesh shkelte vijën mesatare jozyrtare poshtë ngushticës së Tajvanit.
“Kina i ka përdorur stërvitjet për t’u përgatitur për pushtimin e Tajvanit,” tha Wu, duke kërkuar mbështetjen ndërkombëtare për të ruajtur “paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit”.
Po kryen ushtrime ushtarake në shkallë të gjerë, lëshime raketash, si dhe sulme kibernetike, një fushatë dezinformimi dhe shtrëngim ekonomik në një përpjekje për të dobësuar moralin publik në Tajvan.”
Wu foli ndërsa tensionet ushtarake ziejnë pasi Kina njoftoi se do të kryente stërvitje të reja ushtarake edhe pse më parë kishte lajmëruar se stërvitjet do të mbylleshin të dielën, raporton abcnews.al.
Stërvitjet përfshinin lëshime raketash balistike dhe sulme të simuluara detare dhe ajrore në qiejt dhe detet përreth Tajvanit.
Komanda e Teatrit Lindor të Kinës njoftoi të hënën se do të kryejë stërvitje të reja të përbashkëta duke konfirmuar frikën e disa analistëve të sigurisë dhe diplomatëve se Pekini do të vazhdojë presionin mbi mbrojtjen e Tajvanit, shkruan Reuters.
Ndërsa Pelosi u largua nga rajoni të premten e kaluar, Kina gjithashtu hoqi disa linja komunikimi me Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë bisedimet ushtarake dhe diskutimet mbi ndryshimin e klimës.
Presidenti i SHBA Joe Biden, në komentet e tij të para publike për këtë çështje që nga vizita e Pelosit, tha të hënën se ishte i shqetësuar për veprimet e Kinës në rajon, por nuk ishte i shqetësuar për Tajvanin, raporton abcnews.al.
Kina nuk e ka përjashtuar kurrë marrjen me forcë të Tajvanit dhe të hënën zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Wang Wenbin tha se Kina po kryente stërvitje normale ushtarake “në ujërat tona” në një mënyrë të hapur, transparente dhe profesionale, duke shtuar se Tajvani ishte pjesë e Kinës.