Kishin celulë në Shqipëri, historia e Forcave QUDS që raportojnë vetëm te Lideri Suprem i Iranit

Një celulë aktive terroriste e njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS iraniane është zbuluar së fundmi nga Institucionet Shqiptare të Sigurisë. Drejtori i Policisë, Ardi Veliu, tha celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta.

Po çfarë janë Forcat QUDS që sipas autoriteteve shqiptare menaxhojnë në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore?

Froca Quds, janë një njësi brenda Gardës Revolucionare Iraniane, e cila ka për mision të kryejë aktivitete spiunazhi dhe luftarake të fshehta dhe është përgjegjëse për operacionet e kryera nga Irani jashtë territorit të vet.

Komandanti i saj është Gjeneral Major Qasem Soleimani. Organizata është shpallur si terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej vitit 2007, duke i ndaluar çdo shtetasi amerikan të ketë kontakte me këtë organizatë. Këtë vit, SHBA vendosi të fusë në listën e organizatave terroriste edhe Gardën Revolucionare Iraniane.

Sipas inteligjencës perëndimore, Frocat QUDS mbështesin aktorë “jo zyrtarë” aleatë të Iranit, si Hezbollah, Hamas dhe Xhihadistët Islamikë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, por edhe rebelët Huthi në Jemen dhe militantë të tjerë shiit në Irak, Siri dhe Afganistan.

Analistët e shërbimeve perëndimore nuk kanë dalë në një përfundim të madhësisë së saktë të Forcave Quds, por mendohet se numri i tyre shkon deri në 20 mijë. Komandanti i Forcave QUDS raporton vetëm te Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Khamenei.

Forcat QUDS janë krijuar gjatë luftës Iran-Irak, duke i ofruar fillimisht mbështetje kurdëve që luftonin kundër Saddam Hussein-it. Më pas nisën të zgjeronin aktivitetin e tyre edhe në vendet fqinje si Afganistani dhe dhjetëra vende të tjera.