Nga Serena Console, Europa Today
“Historia e botës moderne, do të shkruhet në rajonin e Indo-Paqësorit!”, deklaroi së fundmi presidenti amerikan Joe Biden. Dhe atë nuk do që ta shkruajë vetëm Republika Popullore e Kinës, pasi 60 qind e tregtisë globale detare, kalon nëpër ujërat që lagin brigjet e Kinës, Indisë, Tajvanit, Vietnamit, Filipineve dhe Japonisë.
Prandaj është më se e qartë, se siguria në këtë zonë, është një parakusht për ecurinë e tregtisë globale dhe zinxhirëve të furnizimit. Një siguri që po lëkundet teksa fuqia e dytë më e madhe në botë, Kina, vazhdon të pretendojë sovranitetin e saj territorial në Detin e Kinës Jugore, duke sulmuar vazhdimisht anijet e rojes bregdetare të Filipines me lazera apo me topa uji.
Incidente të tilla nuk janë ndonjë gjë e re. Pekini dhe Manila, kanë një histori të gjatë mosmarrëveshjesh territoriale detare. Dhe muajt e fundit, ka pasur përplasje të përsëritura midis anijeve të tyre pranë një zone më shkëmbinj nënujore ku dergjet një anijeje të vjetër tregtare me emrin Sierra Madre.
Edhe Japonia është përballur me inkursionet agresive të flotës ushtarake kineze në ujërat e diskutueshme. Tokio e ka akuzuar Pekinin për instalimin e bovave pranë Senkakut (Diaoyu në gjuhën kineze), një mori ishujsh të vegjël e të pabanuar në Detin e Kinës Lindore, aktualisht nën kontrollin japonez, por të pretenduar nga Pekini.
Përballë këtyre kërcënimeve dhe tensioneve në Detin e Kinës Jugore, Shtetet e Bashkuara po bashkohen me aleatët historikë për ta shkruar së bashku historinë e Indo-Paqësorit. Në këtë këndvështrim duhen lexuar edhe lëvizjet e në Shtëpinë e Bardhë, që ditët e fundit ka pritur dy samite të ndryshme me një peshë të madhe historike.
E para, ajo midis Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. Dhe i dyti samiti trepalësh midis Filipineve, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara. Nga Uashingtoni, presidenti amerikan Biden është zotuar të mbrojë Filipinet në rastin e një “sulmi” në Detin e Kinës Jugore, duke vënë në zbatim “traktatin e mbrojtjes reciproke” SHBA-Filipine të vitit 1951.
Referenca është direkt për Kinën, protagoniste e samitit të paprecedentë trepalësh të 11 prillit midis presidentit amerikan, udhëheqësit filipinas Ferdinand Marcos Jr. dhe kryeministrit japonez Fumio Kishida. Nuk është hera e parë që lideri filipinas e viziton në Shtëpinë e Bardhë.
Vitin e kaluar, Biden e mirëpriti Marcosin në rezidencën presidenciale për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy vendeve, të cilat ishin prishur gjatë presidencës së Rodrigo Dutertes, që ishte më afër Kinës. Ajo që i shqetëson më shumë Shtetet e Bashkuara, është prania e marinsave amerikanë në territorin e Filipineve.
Në Palawan – ishulli disa qindra kilometra larg gumës ku është bllokuar Sierra Madre – ndodhet një nga katër bazat ushtarake, në të cilat qeveria filipinase i dha kohët e fundit qasje ushtrisë amerikane për stërvitje të përbashkëta, ruajtjen e pajisjeve, por dhe për ndërtimin e objekteve si pistat ajrore dhe kazermat.
Në deklaratën e përbashkët të liderëve të tre vendeve, të cilët e cilësuan takimin trepalësh si “historik”, shprehet “shqetësimi serioz” për veprimet “të rrezikshme dhe agresive” të Pekinit në Detin e Kinës Jugore. Kundërpërgjigja e Kinës ishte e menjëhershme.
Në një protestë formale që iu dorëzua të ngarkuarit me punë të Japonisë, qeveria kineze e quajti samitin një kërcënim për interesat e saj në rajonin e Azi-Paqësorit dhe më në përgjithësi si një komplot ndërkombëtar kundër saj. Po ashtu, ajo i quajti “legjitime” veprimet e saj në Detin e Kinës Jugore.
Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit, një gjykatë ndërkombëtare me seli në Hagë të Holandës, vendosi në vitin 2016 se Kina nuk ka pretendime legjitime për sovranitet në atë zonë. Por ky vendim që nuk është respektuar asnjëherë nga Pekini, që vazhdon të thotë se ka të drejtë të kontrollojë ujërat që shtrihen afër brigjeve të saj.
Megjithatë, samiti i Uashingtoni ofroi garanci të tjera sigurie për Manilën. Rojet bregdetare nga Shtetet e Bashkuara, Filipinet dhe Japonia, do të kryejnë patrullime të përbashkëta në rajonin e Indo-Paqësorit, dhe një qendër logjistike për ndihmën humanitare dhe ndaj fatkeqësive, do të krijohet në një nga nëntë bazat ushtarake filipinase, për të cilat Shtetet e Bashkuara kanë garantuar qasje sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Zgjeruar të Mbrojtjes të vitit të kaluar
Pastaj ka një kundërpërgjigje amerikane ndaj Nismës së Brezit dhe Rrugës të Kinës, me një projekt infrastrukturor të njohur si Korridori PGI Luzon apo Partneriteti për Infrastrukturën dhe Investimet Globale, që do të lidhë gjirin Subic në Filipine me Clark, Manila dhe Batangas përmes porteve, hekurudhave, impianteve të energjisë së pastër dhe zinxhirëve të furnizimit të gjysmëpërçuesve.
“Fronti i bashkuar” anti-kinez, për të cilin Biden ka punuar prej disa kohësh, ka gjetur mbështetjen e kryeministrit japonez Kishida, i cili mbërriti në Shtetet e Bashkuara më 10 prill për të forcuar lidhjet ekonomike dhe të sigurisë në Indo-Paqësor. Kishida ka frikë se Azia mund të jetë Ukraina e ardhshme, sidomos për shkak të forcimit të bashkëpunimit midis Kinës, Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut, pra aktorëve që po promovojnë një rend të ri me shumë qendra pushteti.
Mbrojtja dhe siguria ishin tema qendrore e takimit mes Biden dhe Kishidës, që çoi në nënshkrimin e një pakete rekord prej mbi 70 marrëveshjesh, të cilat përbënin “reformën” më të madhe të bashkëpunimit dypalësh që nga viti 1960 në një perspektivë anti-Pekin.
Kryeministri japonez synon ta bëjë vendin e tij një protagoniste të gatshme për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve rajonale. Ai ka hapur një temë të konsideruar si tabu deri disa dekada më parë: dyfishimin e shpenzimet ushtarake kombëtare për blerjen e armëve sulmuese dhe jo vetëm armëve vetëmbrojtëse deri në vitin 2037. Në takimin me Biden u përgatit një ndryshim në strukturën e forcave amerikane në Japoni, për t’u integruar më mirë me ato japoneze, si dhe për të arritur një ndërveprim të gjerë të dy ushtrive.