KM Kurti thotë se për dy vjet janë hapur 40 mijë vende të reja pune

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë dy vjetëve të fundit sa ai është në pushtet, janë hapur 40 mijë vende të reja pune.

“Qarkullimi i bizneseve për periudhën janar-gusht 2022 ka shënuar rritje prej 21.6% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 67.9% krahasuar me vitin 2020. Si rezultat, në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa ai pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi 15 mijë vende pune më shumë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas Kurtit, edhe eksportet me qeverinë e tij janë trefishuar, krahasuar me periudhën kur kanë udhëhequr qeveritë e kaluara.

“Eksportin përgjatë periudhës janar-shtator 2022 e kemi për 25.6% më të lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja mesatare vjetore e eksportit gjatë periudhës janar-shtator të viteve 2008-2020 është 15.7%, ndërsa rritja mesatare e eksportit në periudhën e njëjtë të dy viteve të fundit e gjatë qeverisjes sonë është 47.3%. Pra, me qeverinë tonë eksportet në këtë periudhë janë rritur trefish më shpejt sesa në krahasim me vitet kur kanë udhëhequr qeveritë e kaluara”, ka shtuar ai.

Kurti ka thënë se prmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, kanë ndihmuar bizneset vendore që të zgjerojnë kapacitetet prodhuese e përpunuese ashtu që të rritet prodhimi vendor, punësimi e eksporti.

Përveç ndihmës direkte me subvencione, Kurti ka theksuar se po ndihmojnë bizneset përmes uljes së kostos së të bërit biznes, transmeton Klankosova.tv

“E këtë javë, filloi zhdoganimi i mallrave në Portin e Durrësit. Kjo do të ulë kostot për bizneset e konsumatorët për rreth 2 milionë euro sikurse edhe kohën e zhdoganimit”.

Sipas tij, investimet e huaja direkte në Kosovë vazhdojnë të rriten gjatë qeverisjes së tij.

“Në periudhën janar-korrik të këtij viti vlera e investimeve të huaja direkte ka tejkaluar vlerën prej 400 milionë euro. Pra, 47% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 99% me shumë sesa në vitin 2020”, ka shtuar ai.

“Progresi ekonomik nuk është hamendësim e as rastësi. Ai është rezultat i politikave të duhura dhe qeverisjes së mirë. Shifrat dhe indikatorët më lart janë dëshmia jonë për këtë”, ka përfunduar Kurti.