Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), po konsideron se Policia e Kosovës nuk është dashur të lejojë aktivitetin politik të Lëvizjes Vetëvendosje, ku pjesmarrësit shkelën rregullat ndaj pandemisë.
KMDLNJ thotë ky manifestim nuk duhej të lejohej, ku në anën tjetër është ndaluar puna e gastronomëve dhe artistëve.
“Ndonëse numri i të infektuarve nga COVID- 19, pas largimit të masave shtrënguese po shënon rritje, KMDLNJ vlerëson se qeveria e Kosovës ka bërë mirë për këto masa aq më parë që thuaja të gjitha vendet kanë filluar t’i kthehen normalitetit. Shumica e bizneseve janë hapur nën kushte të reja në përputhje me situatën e krijuar. Deri më tani ka ndalesë vetëm për gastronomët dhe artistët. Është ndaluar organizimi i dasmave dhe ahengjeve familjare në ndërkohë që lejohen manifestimet politike dhe partiake ku nuk respektohen aspak kriteret e përcaktuara nga institucionet e Kosovës”, thuhet në reagimin e KMDLNJ’së.
KMDLNJ po kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të lejojë punën e gastronimëve dhe organizimin e dasmave dhe ngjarjeve sportive, me praninë e një numri të tifozëve, duke ruajtur distancën.
“KMDLNJ konsideron se Policia e Kosovës nuk është dashur të lejojë aktivitetin politik të LVV -së ku dhjetra mijra pjesëmarrës kanë shkelur rregullat sikur që është ruajtja e distancës sociale. Më këtë kontekst, KMDLNJ kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, që në kushte të caktuara dhe me marrëveshje të lejojë punën e gastronomëve sikur edhe të lejojë organizimin e dasmave dhe ngjarjeve sportive me prananinë e një numri të tifozve , duke ruajtur distancen sociale dhe masat tjera mbrojtëse”, thuhet në reagim.
KMDLNJ po i kërkon Qeverisë së Kosovës t’i lejojë këto aktivitete, ose t’i kompensojë humbjet që kanë pasur dhe do t’i kenë në të ardhmen bizneset.
“Qeveria e Kosovës nuk ka tjetër alternativë: ose duhet të lejojë këto aktivitete ose duhet t’i kompensojë të gjitha humbjet që i kanë pasur dhe që do t’i kenë në të ardhmen. E drejta për punë është e drejtë elementare e njeriut dhe si e tillë duhet të respektohet. Lejimi i aktiviteteve politike kundër të gjitha rregullave të sigurisë së shëndetit dhe pengimi i aktiviteteve të gastronomëve , artistëve e vë në pozitë qeverinë si abuzuese e të drejtave të njeriut për shkak të zbatimit të standardeve të dyfishta”, thekson reagimi.
Po ashtu, KMDLNJ ka bërë të ditur se o përkrah protestat e gastronomëve dhe artisitëve, duke i quajtur si kërkesa të drejta për punë.
“KMDLNJ përkrah protestat e gastronomëve dhe artistëve, si kërkesa të drejta për punë e cila është e drejtë elementare e njeriut. Rregullat dhe ligjet duhet të vlejnë për të gjithë e që në rastin konkret nuk është kështu. Qeveria e Kosovës duhet të tregohet shumë e vëmendshme në trajtimin e këtyre rasteve aq më parë që nuk ka mundësi të kompensojë këto biznese për dëmet e mëdha që u janë shkaktuar”, ka bërë të ditur KMDLNJ në reagim.