Njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu, mendon se koalicioni mes VV-së dhe LDK-së është arritur dhe sipas tij është zgjidhur edhe ngërçi për çështjen e presidentit.
Abdullahu, në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se është pritur një arritje e marrëveshjes mes VV-së dhe LDK-së pasi sipas tij të gjitha alternativat tjera janë përjashtuar përfshirë edhe zgjedhjet e reja.
Ai ka thënë se kjo vonesë që u bë sot më shumë ka të bëj me formalitetet që subjektet duhet t’i bëjnë me strukturat e tyre.
“Partitë duhet të mbledhin kryesitë e tyre në shenjë respekti për punën që kanë bërë në harmonizimin e programeve para se të shpallin koalicionin përfundimtarë. Unë mendoj ato duhej t’i bënin “adetet” para se ta thonë fjalën e fundit para qytetarëve”.
Abdullahu thotë se sonte apo edhe më herët ka pasur marrëveshje edhe për presidentin por ndoshta sonte Vetëvendosje ka insistuar për emrin.
“Mund të jetë edhe zoti Isa Mustafa emri i propozuar për president. Por ka edhe persona tjerë që mund të shpresojnë të bëhen president”.
Njohësi i çështjeve politike thotë se kjo mënyrë se si kanë shkuar gjërat mund të konsiderohen një lloj “pazari” dhe sipas tij askush nuk mund të përjashtoj edhe pazare tjera që këto parti do të bëjnë në të ardhmen.