Kolonja mahnit francezët, natyra dhe çmimet e ulëta tërheqin turistët

Kolonja është duke përjetuar momentet më të mira të saj në turizëm. Natyra e paprekur nga dora e njeriut, ushqimet tradicionale, turizmi malor dhe mikpritja duket se kanë sjellë me qindra turistë shqiptarë e të huaj në këtë zonë.

Euronews Albania intervistoi 3 shtetas francezë, të cilët kanë vendosur të kalojnë javën në fshatin turistik të Rehovës, i njohur ky për turizmin familjar.

“Kemi ardhur në Kolonjë sepse kemi dëgjuar për të nëpërmjet rrjeteve sociale, këtu është parajsë për ne francezët. Ushqimi i shijshëm dhe bio, çmimet shumë të lira, njerëzit tejet mikpritës dhe natyra fantastike. Ne tani ishim në malin e Gramozit e po kthehemi, ishte mrekulli vërtet”, thotë turistja Ema Corne.

“U tremba pak kur po vija këtu sepse rruga nuk ishte shumë e mirë, por kur arrita kuptova që ishte vendimi i duhur për të pushuar. Ne jemi me një guidë me vete, ai po na tregon historinë që mbart ky vend, njerëzit që kanë luftuar për atdhe. Mua më pëlqen Kolonja për faktin se këtu mund të bësh çfarë të duash, hiking, plazh në rezervuar, canoe, mund të provosh me dhjetëra ushqime pa harxhuar lekë dhe mund të dalësh xhiro në çfarë ore të duash, të gjithë të ndihmojnë”, u shpreh Siriel Gonsalez.


“Ne jemi 7 veta që vijme nga Franca, peisazhi është i mrekullueshëm, por mua më ka bërë përshtypje turizmi familjar në Rehovë. Pronari i shtëpisë dhe gruaja e tij gatuajnë për ne, na ndihmojnë, na këshillojnë, kjo kurrë nuk ndodh në Francë. Duhet të përmirësohet infrastruktura, por besoj do behet me kalimin e kohës”, theksoi një tjetër turist francez.

Në prej operatorëve turistik të zonës tregon se ky vit ka sjellë pafundësisht turistë, aq sa nuk mund t’i përballojnë dot.

“Sivjet ishte viti që kanë ardhur dyndjet me të mëdha të turistëve, si vendas por e të huaj. Është pafund, nuk e përballojmë dot kaq fluks të madh. Fundjava ishte plot, nuk i përballojmë dot nuk jemi ende gati për turizëm në Kolonjë”, deklaroi Luljeta Milo, pronare hoteli.

Ata që vijnë me shpesh janë shqiptarët që kanë emigruar jashtë shtetit, të cilët pëlqejnë më së shumti ushqimet tradicionale.

“Shqiptarë të ikur në Amerikë nga gjithë vendet e botës, për Kolonjën kanë kuriozitet të madh. Janë shumë të kënaqur dhe kanë parë që ky vend është kaq i mrekullueshëm e nuk e kemi vizituar ndonjëherë, si për ambientin, qytetin, qetësisë dhe ushqimit tradicional. Pëlqejnë gatimet pacarak, pispili, çorbën tradicionale me oriz dhe dhallë, biot e sezonit, lakrori me kumbullat e thata, puthin duart klientët që kanë ardhur tani”, u shpreh ajo.

Bashkia e Kolonjës çdo natë organizon evenimente ne sheshin “Rilindja” në Ersekë.

Këngëtarja e famshme Irini Qirjako, e ftuar për të performuar në një eveniment të organizuar nga Bashkia tregon se është mahnitur nga peisazhi që ka përjetuar teksa ka ardhur në këtë qytet.

Gjatë 3 viteve të fundit turizmi në Kolonjë ka qenë në zhvillim, teksa ka patur dhe investime private në këtë drejtim.