Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë se është arritur qëllimi i FSK-së dhe presin që njësitë e përfshira në stërvitjen “Defender Europe 21”, të validohen mbi bazën e misionit të ri të Forcës.
Komandanti i Forcës në ditën kryesore të stërvitjes “Defender Europe 21”, ushtrim që po mbahet nga 17 maji në terrenet e Gjakovës, ka thënë se janë në pritje të vlerësimeve zyrtare, por që tashmë janë të vetëdijshëm që operacionet kanë kaluar me sukses.
“Çfarë mund të them tash me ato që i kemi parë dhe vlerësimet që kanë ardh ende nuk i kemi zyrtarisht, por konfirmoj që është arritur qëllimi, është arritur objektivi dhe presim validimin për herë të parë të njësiteve tona, kompanisë tonë mbi bazën e misionit dhe detyrave të reja bazuar me ligjet e Kosovës”, ta thënë gjeneral Rama para mediave.
Ai ka shtuar se qëllimi mbetet që Kosova të jetë pjesë e strukturave euroatlantike.
Sipas tij, Kosova përveç që është shtet pritës në stërvitjen “Defender Europe 21”, pjesëtarët e Forcës janë në kuadër të këtij ushtrimi edhe në Shqipëri e Kroaci, për çka tha se raportet e deritanishme tregojnë për arritje të synimeve të Forcës.
Rama ka bërë të ditur se FSK-në e presin avancime të tjera në kuadër të planit të tranziocionit, bazuar në mandatin e misionit të ri ushtarak.
Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë për herë të parë në “Defender Europe 21” dhe është prej 16 vendeve pritëse.
Objektivi kryesor i komandantit të FSK-së për këtë ushtrim është validimi i kapaciteve të këmbësorisë në operacionet mbrojtëse, sulmuese dhe për operacionet e stabilitetit të nivelit të kompanisë.
Janë 339 pjesëtarë të Forcës të përfshirë në “Defender Europe 21”, që në Kosovë ka filluar më 17 maj.
Ata po zhvillojnë operacione të luftimit në Devë e Babaj të Bokës, në Gjakovë.
Janë 28 mijë trupa të diskokuara gjithsej në ushtrimin e “Defender Europe 21”, që për qëllim kryesor ka rritjen e gatishmërisë operacionale dhe nderveprueshmërinë mes ushtrisë amerikane dhe vendeve partnere.
“Defender Europe”, që këtë vit realizohet në Ballkanin Perëndimor, Detin e Zi dhe rajonin e Baltikut, teston të gjitha aftësitë që njësitë e vendeve të NATO-s i trajnojnë gjatë ushtrimeve./kp/