“Pse nuk është sanksionuar Serbia”, ishte pyetje e kongresistit Keith Self, drejtuar Gabriel Escobarit, emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor.
Escobar ka raportuar para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara. Ai ka folur edhe për Kosovën dhe situatën e tensionuar që mbizotëroi në veriun e vendit gjatë muajve të fundit.
E shkak i tensionimit ishte kundërshtimi i serbëve lokalë dhe Beogradit për kryetarët shqiptarë që fituan zgjedhjet e prillit në Veri – të cilat Lista Serbe i kishte bojktotuar me një koordinim të dukshëm me Beogradin zyrtar.
Për këtë Self pyeti se pse nuk ka sanksione për Serbinë duke e lidhur edhe bojkotin e zgjedhjeve.
“Dëgjoj një lloj jonkonsistence. Ju keni qenë në anën e Kosovës në çdo moment, kështu thatë. Por, që tani po shohim një qasje më të balancuar. Por nuk ka dyshim që Vuçiqi ka nxitur bojkotimin e zgjedhjeve të Kosovës, nuk ka kurrfarë dyshimi në këtë. Në diçka nuk jam fort i sigurt, më duket se Serbia i ka vonuar pak zgjedhjet e veta për shkak të zgjedhjeve në Kosovë. Kjo nuk është Ukraina, por është në kufi të NATO-s. Serbia dhe Rusia janë të rrethuara nga shtetet e NATO-s dhe kjo mund të jetë më shumë rrezik në kuptimin e përhapjes së dhunës. Nuk jam fort i qartë pse nuk kemi sanksione ndaj Serbisë sot sepse kanë importuar armatim të rëndë nga Rusia që nga viti 2017, që është dashur të çonte drejt sanksioneve në kuptimin e luftimeve të kundërshtarëve të Amerikës me anë të sanksioneve në vitin 2017. Po ju pyes juve pse jo?” ka pyetur ai, të martën.
Përgjigja Escobarit ishte sanksionimi i Aleksandër Vulnit, shefit të shërbimit sekret serb.
“Nuk është zyra ime që merret me sanksionet. Sanksionet nuk kanë të bëjnë vetëm me blerjen e armatimit rus, po të ishte kështu do të kishim probleme edhe me Turqinë dhe të tjerët. Është niveli i blerjeve dhe kapaciteteve teknologjike të këtyre blerjeve. Për këtë kemi vazhduar komunikimin me Serbinë”, ka thënë ai.
Escobar në raportim ka folur edhe për marrëveshjen e Ohrit, duke thënë se i hap rrugës Kosovës për një perspektivë të re ku SHBA-ja do të angazhohej për njohje ndërkombëtare.