Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka pritur në takim homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropalin, duke u shprehur se këto dy vende kanë marrëdhënie të mëdha bashkëpunimi.
Ai është shprehur se Shqipëria është e paplotë pa Kosovën, duke u shprehur se qytetarët e Kosovës “kanë luftuar me dekada për Shqipërinë”.
“Shumica e kosovarëve nuk i referohen Shqipërisë si shteti fqinj. Po ta pyesim një kosovar se ku po shkon, nuk ka merr mendja se thotë po shkoj në shtetin fqinj. Por thotë ‘po shkoj në shtetin amë’. Shqipëria nuk u bë e plotë dhe na u mohua, e për Shqipërinë qytetarët e Kosovës luftuan me dekada”, ka deklaruar ai para mediave.
Sipas Konjufcës, institucionet e Kosovës kur shohin Shqipërinë “shohin një raport si me vetveten”, duke u shprehur se dy vendet duhet t’i thellojnë raportet.
I pyetur se a ka raporte të ngrira mes dy qeverive, Konjufca ka thënë se s’ka pasur ndonjëherë ngrirje, e sipas tij, bashkëpunimet gjithherë kanë ekzistuar.
“Ne si përfaqësues kemi qenë në nivelin e detyrës, mundësisht për të transmetuar një ndjenjë që është e thjeshtë dhe është mes popujve tanë. E kjo është ndjenja e dashurisë, e vëllazërisë, ndjenjë e afërt që mund ta ketë një popull mes vete. Shqipëria për ne është sikur vendlindja jonë. Zonja Spiropali s’ka ardhur për të shkrirë asgjë, ka ardhur për të vazhduar atë që ka ekzistuar gjithmonë. Një marrëdhënie të mirë mes Kosovës dhe Shqipërisë.”