Nga Skënder Latifi
Më 14 tetor 1915, Bullgaria i shpalli luftë Serbisë. Për vetëm dy javë, trupat bullgare pushtuan rajonin e Moravës dhe Nishin, ndërsa deri në fund të vitit 1915 nën kontrollin bullgar u gjet Maqedonia dhe viset lindore të Kosovës, mirëpo vija e demarkacionit e zonës bullgare, që në fakt u përcaktua në Luftën e Parë Botërore u shtri deri në rrethinat e qytetit të Prizrenit. Kështu në rrjedhën e organizimit, administrata ushtarako-politike bullgare përgjatë vitit 1916 është përpjekur që ta analizojë dhe ta skicojë me shifra konkrete gjendjen në tokat shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës, por pjesërisht edhe në Shqipëri. Teksti në vijim e paraqet një pjesë të vështrimeve të personaliteteve të njohura shkencore të Bullgarisë së atëhershme, që iu ranë kryq e tërthor viseve shqiptare, ndërsa lënda e hulumtimit të plotë ruhet në Arkivin Shtetëror të Bullgarisë në Sofje. Në pjesën përmbyllëse të këtij teksti – që do të botohet me vazhdime – do të shpaloset edhe artikulli i njërës prej gazetave bullgare, e cila ka informuar për varrimin e atdhetarit Josif Bageri (1867 – 1916) në kishën e “Shën Nikollës” në Prishtinë, pasditen e 2 majit të vitit 1916. Titulli dhe nëntituj janë të autorit
“Viset e reja”
Qysh në muajt e parë të vjeshtës së vitit 1915, në bazë të marrëveshjes paraprake me aleatët në zonat që i përkisni Bulgarisë u vendos pushteti ushtarako-administrativ bullgar. Në vazhdën e përpjekjeve të vendosjes sa më efikase të pushtetit, që më tepër ishte nën ndikimin e “shijes së mashtrimit” që Serbia ia bëri Bullgarisë pas Luftës së Parë Ballkanike, politika bullgare e asaj kohe u përpoq me çdo kusht që t’i justifikonte qëllimet e veta, prandaj në bashkëpunim me kreun ushtarak, më 21 qershor 1916, shtabi i ushtrisë ua dërgoi një letër qarkore një numri të studiuesve kryesisht të Universitetit të Sofjes, në të cilën thuhej “se “tokat e sapoçliruara bullgare” akoma nuk ishin bërë objekt i shkencës vendore, por gjithashtu edhe pasuritë natyrore dhe popullsia e “viseve të reja” nuk ishin hulumtuar për së afërmi”. Pra, “mbi rezultatet e kërkimeve të drejtpërdrejta shkencore, do të qëndrojnë të gjitha të dhënat që janë të nevojshme si për drejtimin e duhur të jetës shtetërore në ‘viset e reja’, por gjithashtu ato e mbështesin edhe mbrojtjen e fuqishme të interesave kombëtare në negociatat e ardhshme ndërkombëtare” – thuhej në letrën qarkore. Në funksion të detyrave të parapara, Shtabi i Ushtrisë së Bullgarisë, vendosi “t’i ndihmojë studiuesit bullgarë që sa më parë t’i vizitojnë ‘viset e reja’ dhe që ato të hulumtohen duke u mbështetur mbi bazën e përgatitjeve profesionale të tyre”. Në përputhje me këtë, nga data 1 – 3 korrik të vitit 1916, në Sofje u mbajt një takim me studiuesit bullgarë, në të cilin edhe u qartësuan detyrat për hulumtimin e ardhshëm.
Pas një diskutimi gjithëpërfshirës, në ekipin e hulumtuesve u përfshinë: 7 gjuhëtarë, 3 ekonomistë, 2 historianë, 2 gjeografë, 2 gjeologë dhe 1 fotograf. Puna e tyre nisi në gjysmën e parë të korrikut dhe zgjati deri në gjysmën e parë të shtatorit të vitit 1916.
Prej Gostivari deri në Kukës
Midis emrave të njohur që ishin përfshirë në hulumtimin e viseve shqiptare, por edhe të Kosovës së atëhershme ishte edhe historiani dhe arkeologu Vasil Zllatarski (Васил Златарски 1866- 1935). Hulumtimi i tij kishte nisur në Maqedoninë Perëndimore dhe kishte përfunduar në Kukës. Prof. Zllatarski e kishte përmbyllur raportin e tij me shkrim më 28 shtator 1916 në kryeqendrën bullgare në Sofje. Përveç tjerash ai ka shkruar: “Gostivari më tërhoqi vëmendjen me një tjetër veçori. Ditën që isha atje, qëlloi të ishte ditë tregu (e martë) dhe kështu rrugët e këtij qyteti ishin plot me njerëz: këtu në treg nuk vijnë vetëm njerëzit nga fshatrat përreth dhe në përgjithësi nga Tetova, por edhe nga Dibra dhe krahina e saj, më pastaj nga Kërçova me rrethinë, nga Struga, Ohri, madje edhe nga Resnja, prandaj si të thuash ‘gjuha zyrtare’ në tregun e Gostivarit ishte bullgarishtja, të cilën e flisnin si turqit, po ashtu edhe shqiptarët. Artikujt kryesorë në treg ishin ushqimet, por shiteshin edhe artikuj të tjerë: si perime, kripë, sheqer, djathë, bagëti etj.”.
Megjithatë prof. Zllatarski kishte mbetur i habitur nga çmimet e tregut të Gostivarit.
Prof. Zllatarski, më pastaj e ka vizituar edhe Kosovën. Ai ka shkruar se “prej Janjeve është kthyer në Prishtinë në mbrëmje dhe të nesërmen (29 gusht) paraditen e ka kaluar duke e parë kryeqendrën e Kosovës”: E vizitova Xhaminë kryesore ‘Sulltan Fati Mehmed’ – një ndërtesë të madhe të vitit 865 sipas hixhrit, ose 1513 pas Krishtit. Në oborrin e saj ka edhe mbishkrime (fragmente) të lashta. Ndërsa e vetmja kishë krishtere është ajo e ‘Shën Nikollës’ dhe ajo është një ndërtesë e re e fillimit të shekullit XIX, me ikonostasin e bukur që është vepër e drugdhendësve dhe mjeshtërve dibranë që i kanë dhuruar kësaj kishe motive dhe kompozicione nga Shkrimet e Shenjta, të tilla siç ndodhen në kishën ‘Shën Shpëtimtari’ në Shkup, dhe me sa duket të gjitha këto janë punuar nga të njëjtët mjeshtër të Galishnikut, gjë që vërtetohet kronologjikisht, pasi sipas zëvendësipeshkvit bullgar të Prishtinës, kisha është ndërtuar në vitin 1827, ndërsa ikonostasi i Shkupit daton nga viti 1824. Në kishë është edhe një ikonë, por ajo është krejtësisht e re – e vitit 1902, me mbishkrime serbe. Pasdite me veturë shkova te varret e heronjve turq të Betejës së Kosovës të vitit 1389: së pari te varri i Vezirit të Madh të Sulltan Muratit në Gazimestan dhe te ai i Sulejman Bajraktarit, që ndodhet në një kodër afërsisht pesë kilometra në veriperëndim të Prishtinës, prej ku shihen majat e larta të Kopaonikut. Varret ndodhen në një ndërtesë të rrumbullakët, që është ngritur në vendin ku kanë ranë dy personalitetet e lartpërmendura. U vërtetova se gjendja e ndërtesave është e keqe dhe me sa duket ato nuk mirëmbahen, sepse dyshemetë ishin tërësisht të kalbura, ndërsa pranë tyrbes ishte edhe një ndërtesë e vogël që shërbente për pritjen e mysafirëve. Të dyja ndërtesat ishin në një ambient të hapur dhe ishin të parrethuara. Në të njëjtin drejtim, në pjesën jugore të rrafshinës midis lumit Sitnicë dhe rrjedhës së poshtme të degës së tij, lumit Llab, ngrihej varri i Sulltan i Muratit. Në anën veriore, pranë vetë tyrbes, ndodhej një harem i veçantë i hoxhës, i cili e ruan varrin e Sulltan Muratit – një ndërtesë e ulët. Hoxha aktual quhet Ismail Haxhiu, familja e të cilit kujdeset për tyrben për gati 150 vjet rresht. Menjëherë në të djathtë të hyrjes, në oborr ndodhet një ndërtesë e re e bukur dykatëshe – selamllëku, një dhomë për vizitorë. Në të njëjtin oborr ndodhen varret e Hafëz Pashës (ndoshta guvernatorit të Selanikut), Rifat Pashës, Hoxhë Aliut, babait të hoxhës së tanishëm dhe vëllait të tij. Vizitën rreth Prishtinës u detyrova ta shkurtoja për disa arsye dhe në mëngjesin e 30 gushtit me veturë u nisa për në Prizren, duke shkuar drejt jugperëndimit përmes Lipjanit (Ulpiana e vjetër) arrita në fshatin Shtime në rrugën Ferizaj – Prizren, prej andej hyra në grykën e lumit të Shtimes dhe gradualisht u ngjita në qafën e malit të Carralevës. Në fund të vitit të kaluar, ushtria e mposhtur serbe bashkë me mbretin u tërhoqën pikërisht nëpër këtë rrugë që e përshkova unë. Edhe tani në vendet e larta në të dyja anët e rrugës shihen llogoret e braktisura nga ushtria serbe.
Pasi kalova malin e Carralevës, fillova të zbrisja zigzageve të mëdha në rrugën për në fshatin Suharekë dhe prej andej përmes fushës së Prizrenit rreth orës gjashtë të pasdites arrita në këtë qytet. Prizreni shtrihet në pjesën turke, në rrafshinë, dhe në tjetrën – atë të krishterë, të quajtur Varosh që në mënyrë amfiteatrale është ngritur në shpatin e malit Tsvilen, mbi të cilin qëndron dhe nga larg zbardhet Kalaja e Prizrenit. Parë në përgjithësi duket se Prizreni është një qendër e pasur tregtare. Këtu u prita mirë si nga autoritetet ushtarake, po ashtu edhe nga përfaqësuesit e administratës, kështu që në mbrëmje ia dola që të bëhesha gati që të nesërmen të shkoja në Kullën e Lumës. Më 31 gusht, me veturë arrita në perëndim të qytetit, në fushën e Prizrenit dhe pas gjashtë kilometrave isha në kufirin austriak – mbi urën e Drinit të Bardhë, në një skaj të së cilës qëndronte një orë bullgare, dhe në anën tjetër një orë austriake. Pasi kalova kodrën pranë fshatit Shkozë, hyra në grykën e lumit të Drinit të Bardhë, i cili bën rrugën midis maleve të Pashtrikut dhe Koritës – një grykë bukur e thellë, por e egër, e mbuluar nga të dy anët me pyje lisi. Rrugës pashë pjesë të veturave, kamionëve, karrocave të nxjerra nga lumi – mbetje të disfatës së fundit të ushtrisë dhe shtetit serb. Kulla e Lumës gjendet 36 kilometra larg Prizrenit dhe paraqet një kullë të vjetër dykatëshe e cila ngrihet në bregun e degës së majtë të Drinit të Bardhë. Këtu mbreti serb Petri, pushoi për tre ditë gjatë arratisjes drejt Shkodrës. Në grykëderdhjen e lumit të Lumës, e gjeta një ekip të vogël pionierësh bullgarë, të cilët ende po gërmonin në fundin e lumit skelete veturash me elektromagnetë të rezervuarave, që ishin përplot me karburante. Përtej lumit nga rruga për në kullë ishte një urë e lartë guri, e cila u rrëzua nga serbët në tërheqjen e tyre drejt Shqipërisë. E kalova lumin në urën prej druri, tashmë të ndërtuar mbi atë të vjetrën, dhe vazhdova për 4 kilometra të tjerë përmes fshatit Kukës në një rrugë të re të bukur, të ndërtuar së fundmi nga austriakët, deri në bashkimin e Drinit të Bardhë dhe të Zi, afër fshatit të Brutit. Prej këtu fillon Shqipëria e vërtetë dhe rruga e kuajve, ose më mirë një shteg që çon për në Shkodër”, ka përfunduar prof. Vasil Zllatarski.
Qarku i Prishtinës, të dhënat për popullsinë dhe ndryshimet në vitet 1912 – 1916
Pamje më të plotë të numrit të popullsisë në qarkun e Prishtinës, por edhe në qendrat e tjera të Kosovës midis viteve 1912 – 1916 ka afruar Stefan Mlladenov (Стефан Младенов) që atëbotë ishte kryeshef i Drejtorisë Shtetërore të Statistikave. Edhe pse hulumtimi i Mlladenovit është i pasur me të dhëna të bollshme, fatkeqësisht mungojnë të dhënat biografike për të. Kryeshefi i Drejtorisë Shtetërore të Statistikave, fillimisht ka afruar të dhëna rreth ndarjes administrative duke e bërë të njohur se “sipas ndarjes së mëhershme administrative osmane, qarku (Sanxhaku) i Prishtinës i përfshinte rrethet (kazatë) e Novi-Pazarit, Mitrovicës, Vushtrrisë, Gjilanit dhe të Preshevës. Të fundit në këtë qark u përfshinë nahijet e vogla të Ferizajt dhe Podujevës, bile nahija e Ferizajt u përfshi në qarkun e Prishtinës një apo dy muaj para shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike.
Stefan Mlladenov më tej ka sqaruar se “sipas regjistrimit serb të vitit 1913, në qarkun e Prishtinës jetonin 193.337 banorë, rrethi i Gjilanit numëronte 78.284 banorë, i Podujevës 27.084 banorë, i Ferizajt 32.845 banorë, ndërsa Prishtina si qendër e qarkut i kishte 18.174 banorë”.
“Në tre vjetët e fundit, për shkak të ngjarjeve që lidhen me luftërat, numri dhe përbërja e popullsisë në qarkun e Prishtinës ka ndryshuar shumë. Së bashku me shtimin natyror të popullsisë, pati një lëvizje të madhe migruese drejt qendrës së Prishtinës, por edhe jashtë qarkut. Sipas autoriteteve tona administrative si rezultat i lëvizjeve migruese, nga mesi i këtij viti, popullsia e të gjithë qarkut arrin në 205.000 banorë. Prej tyre 3/4 janë shqiptarë, rreth 50.000 vlerësohet të jenë serbë dhe pjesa tjetër prej tyre rreth 6.000 – 7.000 banorë janë besimtarë katolikë, ma pastaj ka ciganë, hebrenj, cincarë e të tjerë.
Në prag të Luftës Ballkanike, popullsia e qarkut të Prishtinës; ishte më e madhe se sot. Shumë shqiptarë u vendosën këtu kohët e fundit para dhe gjatë Luftës së Parë Ballkanike, por ata u zëvendësuan nga kolonistët serbë, të cilët u larguan para luftës aktuale. Për të sqaruar karakterin e këtyre lëvizjeve të popullsisë në qarkun e Prishtinës unë do t’i ofroj disa informacione të përgjithshme”, shkruan ai.
Prishtina e zvogëluar për dhjetëmijë banorë!
Edhe pse në pjesën përmbyllëse, ne e kemi ofruar një pasqyrë të gjendjes së popullsisë duke u mbështetur në regjistrimet zyrtare të viteve 1913 – 1916 dhe ajo nuk ndryshon shumë nga të dhënat që i ofrojnë autorët bullgarë, megjithatë në vijim do të ofrojmë të dhëna konkrete që hulumtuesit bullgarë i kanë hasur në terren.
Në vijim Stefan Mlladenov ka ofruar të dhëna për ndryshimin e numrit të popullsisë në kufijtë e qarkut të Prishtinës, por edhe për vetë qendrën e këtij qarku.
“E gjithë rrethina e Prishtinës në përbërjen e saj aktuale, duke përfshirë qytetin, para Luftës Ballkanike kishte rreth 70.000 – 80.000 banorë, ndërsa ky numër siç e pamë më lart deri më tani është zvogëluar në rreth 65.000 banorë. Qyteti i Prishtinës me 4.000 shtëpi dhe me rreth 28.000 banorë sa i kishte para lufte, sipas regjistrimit të vitit 1913 i kishte vetëm 18.174 banorë! Pas Luftës së Parë Ballkanike dhe para Luftës Aleate (Luftës së Parë Botërore – S. L.), vetëm nga qyteti i Prishtinës drejt Anadollit emigruan rreth 2.000 shqiptarë e turq, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ishin muhaxhirë të dëbuar më herët prej vatrave të tyre (pas luftës së 1877) që kryesisht ishin nga Prokupla, Nishi etj. dhe nga viset e tjera të ‘Serbisë së Vjetër’”, ka precizuar Mlladenov. Pra, siç vërehet administrata por edhe kreu politik e ushtarak i Bullgarisë së atëhershme me nocionin “Serbi e Vjetër” i ka quajtur viset e Serbisë sipër fushave veriore të qytetit të Nishit duke vazhduar drejt Beogradit!
Ndërsa Mlladenov duke kërkuar shkaqet e migrimeve të popullsisë ka theksuar se “si rrjedhojë e politikës serbe rezultoi edhe kriza e muhaxhirëve shqiptarë, kështu që pas dëbimit prej vatrave të tyre shqiptarët e përzënë erdhën dhe u vendosën në Sanxhakun e Prishtinës. Qeveria turke si ndihmë iu ndau toka muhaxhirëve të dëbuar, prandaj popullsia serbe u largua dhe u vendos pothuajse në të njëjtat vende prej nga më parë erdhën muhaxhirët shqiptarë… Në tre vjetët e fundit të qeverisjes, qeveria serbe është kujdesur që gjithandej ta forcojnë elementin serb e veçanërisht në qarkun e Prishtinës. Për këtë qëllim, ajo u ndihmua nga serbët e Leskocit, Prokuples dhe vende të tjera dhe kjo qeveri sidomos e ndihmoi blerjen e tokave prej shqiptarëve, shpeshherë me çmime të papërfillshme!”
Gjilani u zvogëlua për 300 shtëpi
Kryeshefi i Drejtorisë Shtetërore të Statistikave bullgare më tej është marrë me Gjilanin dhe rrethinat e tij. “Qyteti i Gjilanit tani i numëron 1300 – 1400 shtëpi, gjysma e të cilave janë myslimanë shqiptarë. Popullsia e qytetit është rreth 7500 – 8000 banorë. Para Luftës së Parë Ballkanike, qyteti i Gjilanit kishte shumë më pak banorë sesa që ka tani. Pas luftës në kohën e okupimit serb, rreth 5-6% e popullsisë shqiptare u largua prej qytetit të Gjilanit dhe u shpërngul për në Anadoll. Në këtë kohë nga Gjilani u shpërngulën kryesisht familjet e vjetra dhe të njohura shqiptare… Ndërsa në Gjilan u vendosën edhe familjet muhaxhire që erdhën prej Leskoci, Vraje, Nishi, Kurshumlie por edhe të viseve të tjera nga ‘Serbia e Vjetër’. Kështu në vend të shqiptarëve të shpërngulur, qeveria serbe vendosi këtu po aq kolonistë dhe në fakt numri i kolonistëve serbë i përgjigjej numrit të shqiptarëve të shpërngulur. Kishte nga kolonistët të tillë që i blenë pronat e familjeve të vjetra shqiptare, por kishte prej tyre që thjesht u vendosën në shtëpitë e braktisura shqiptare pa kurrfarë kompensimi material! Në atë kohë në Gjilan erdhën edhe disa familje të nëpunësve serbë. Megjithatë, si kolonistët po ashtu edhe familjet e nëpunësve serbë u larguan nga qyteti bashkë me trupat serbe, që tërhiqeshin këndej pari në fund të vitit të kaluar. Por, mund të themi se pasojat e shpërnguljeve të shqiptarëve u ndien gjithkund pasi një numër i madh i tyre emigruan pas luftës, disa në Azinë e Vogël dhe të tjerë u strehuan përkohësisht në Shkup, ku akoma janë në pritje të lejeve për të emigruar drejt Anadollit. Vlerësohet se nga rrethi i Gjilanit (drejt Anadollit) janë shpërngulën më shumë se 300 shtëpi. Pra, popullsia rurale në rrethin e Gjilanit në kohën e këtij hulumtimi i kishte më pak se 70.000 banorë, prej tyre rreth 2/3 janë shqiptarë (llogaritur këtu edhe rreth 600 shtëpi katolike që gjenden në fshatrat Letnicë, Shasharë, Vërnakollë, Stubëll, Binçë etj.) dhe 1/3 e mbetur janë të krishterë ortodoksë”.