Mund ta quani diplomaci të xhudos.
Kosova, vendi ballkanik që ka tendencë të prodhojë disa nga problemet më të pazgjidhshme të rajonit, ka fituar vëmendje ditët e fundit për kampionet e saj të xhudos në Lojërat Olimpike të Tokios. Miliona njerëz shikuan javën e kaluar kur dy vajza të Kosovës, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, fituan medalje të arta në kategoritë e tyre.
Dy medalje të arta mund të mos jenë gjë e madhe për ekipet e mëdha olimpike si Kina ose SHBA-ja, por ky sukses është lloji i arritjes që mund ta vendosë një vend të vogël si Kosova në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe të ndihmojë në ndryshimin e reputacionit të saj. Triumfet e kanë vënë Kosovën ndër vendet kryesore në Lojërat Olimpike të Tokios, kur bëhet fjalë për medaljet e arta të fituara për kokë të banorit.
“Fitoret si kjo na bëjnë të harrojmë se jemi të vegjël dhe na bëjnë mjaft të mirë për të luftuar kundër shteteve të mëdha”, tha Kushtrim Krasniqi, zyrtar për shtyp në Komitetin Olimpik të Kosovës.
Dhe kjo është pikërisht ajo që Kosova po përpiqet të bëjë në disa fronte. Vendi ka zhvilluar një fushatë shumëvjeçare për të fituar njohjen ndërkombëtare si një shtet i pavarur – dhe përfundimisht të bashkohet me organizatat kryesore si OKB-ja dhe BE-ja. Aktualisht rreth 100 vende e njohin pavarësinë e Kosovës, por përpjekja për t’u bashkuar me OKB-në ka hasur në mur, për shkak të kundërshtimit nga armiku i luftës, Serbia dhe aleatët e saj, siç është Rusia.
Ngurrimi në Serbi për të njohur Kosovën u pasqyrua në raportet e lajmeve mbi fitoret në Tokio, duke shfaqur tituj të tillë si: “E ashtuquajtura Kosova fiton të artën në Tokio” dhe duke iu referuar vendit si “krahina jugore e Serbisë” – pavarësisht se Kosova dhe Serbia konkurrojnë kundër njëra-tjetrës dhe garojnë veç e veç.
Transmetuesi publik serb, “RTS”, ndërpreu befas transmetimin e meçit në të cilin Gjakova e fitoi medaljen e artë, duke pretenduar se i mungonte ekuipazhi në terren.
“Ne i transmetojmë të gjitha ndeshjet dhe duelet për medalje, madje edhe ato të Kosovës së vetëshpallur”, tha redaktorja e lajmeve Olivera Kovaçeviq për Radion Evropa e Lirë.
Anëtarësimi në BE për Kosovën duket një perspektivë shumë e largët. Bisedimet e sponsorizuara nga BE-ja për të prodhuar një zgjidhje të përhershme midis Kosovës dhe Serbisë si një hap në rrugën e gjatë për t’u bashkuar me bllokun e vendeve tjera, nuk kanë shkuar askund prej vitesh. Sidoqoftë, Kosova ka pasur më shumë sukses duke hyrë në organizatat kryesore sportive, siç janë ato të futbollit – FIFA e UEFA – dhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
Kampionet e Lojërave të Tokios po ndjekin gjurmët e një ylli tjetër të xhudos në Kosovë, Majlinda Kelmendi, e cila fitoi të artën në Lojërat Olimpike “Rio 2016” dhe ishte kampionia e parë botërore në xhudo e Kosovës.
“Politikanët tanë duhet ta përdorin sportin si mjetin më të mirë politik kur veprojnë në sferën ndërkombëtare”, tha Krasniqi. “Majlinda Kelmendi përmendet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Sportistët dhe talenti nga vendi duhet të dërgojnë mesazhin se Kosova meriton të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare”.
Kur Kelmendi filloi të garonte në arenën ndërkombëtare rreth 10 vjet më parë, ajo do të ndalohej të merrte pjesë në ngjarje, për shkak të shtetësisë së saj.
“Edhe kur isha kampione bote më 2014, dhe të gjithë e dinin që isha kandidatja kryesore për të artën olimpike, prapëseprapë më refuzuan pjesëmarrjen në shumë vende”, tha Kelmendi nga Tokio. “Thjesht vetëm për t’i bindur ata që të lejonin flamurin apo himnin e Kosovës, ishte një sfidë masive”.
Kelmendi kujtoi kur pjesëmarrja e saj u anulua vetëm disa ditë para turneve, ose duke iu dhënë mundësia për të garuar vetëm nën flamurin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar – një ofertë që ajo do ta refuzonte, edhe pas disa muajsh përgatitjeje.
“Më duhej të përjetoja se si ishte të refuzoheshe, të largoheshe dhe të shpërfillesh – pavarësisht sa e mirë je”, tha ajo. “E ndjeva këtë në lëkurën time pa pushim”.
“Sado që u përpoqa të qëndroj larg çështjeve politike dhe të përsëris se jam këtu vetëm për sport, sfidat e vazhdueshme politike me të cilat ballafaqohet Kosova do të më shpërqendronin”, kujton Kelmendi. “Si unë ashtu edhe trajneri im duhej të ishim jashtëzakonisht të fortë”, shtoi ajo, duke iu referuar Driton Kukës, i cili e ka stërvitur që në moshë të re. “Sfidat me të cilat u përballëm vetëm na bënë më të fortë. Kjo tregon se sa këmbëngulës duhet të jenë kosovarët”.
Kuka është gjithashtu i njohur me politikën që pengon sportin. Ai tregoi potencial si garues i xhudos në Jugosllavi dhe mori pjesë në garat ndërkombëtare. Megjithatë, pasi u zgjodh për ekipin olimpik jugosllav në vitin 1992, ai u largua në shenjë solidariteti me shqiptarët etnikë që po përballeshin me izolimin në rritje në Kosovë. Pas konfliktit, Kuka e ktheu ëndrrën e tij për të qenë kampion në një dëshirë për të prodhuar kampionë.
Të tri medalistet e arta kosovare ndajnë një qytet të lindjes, Pejën dhe një trajner, Kukën. Në fakt, ato të gjithë jetojnë rreth 300 metra nga vendi ku stërviten. Peja është qyteti më perëndimor i Kosovës dhe rrethohet nga male të thepisura dhe gryka të thella që shtrihen përgjatë kufirit të saj me Shqipërinë.
“Njerëzit nga Peja janë jashtëzakonisht këmbëngulës dhe të vendosur”, tha Virtyt Gacaferri, një gazetar i vjetër sportiv i cili në një moment merrej me komunikimet për ekipin e xhudos të Kosovës. “Historikisht, ishte qyteti më i madh në Malet e Nemuna, duke e bërë popullsinë shumë rezistente”.
Ai tha se pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014 “ishte një nga anëtarësimet më domethënëse që vendi arriti ndërkombëtarisht”.
Vendimi e bëri më të lehtë për politikanët kosovarë që të lobojnë për pranim diku tjetër.
“Menjëherë më pas FIFA dhe UEFA pasuan”, tha Gacaferri. “Ajo u dha qytetarëve të Kosovës – të cilët përndryshe ballafaqohen me kaq shumë zhgënjime sa i përket njohjes ndërkombëtare – mundësinë për të marrë pjesë”.
Gacaferri parashikoi se “kur një nga diplomatët tanë takohet me një homolog të huaj, ai do t’i thotë: Sigurisht, kam dëgjuar për Kosovën, ju jeni vërtet të mirë në xhudo. Do të ketë një bisedë përtej çështjeve të pazgjidhura me Serbinë ose periudhën e luftës”. \ Politico.eu