Një luftë diplomatike në shumë fronte, është ajo që Serbia po zhvillon kundër Kosovës, në një shkelje të qartë të marrëveshjes së Ohrit. Teksa çon përpara fushatën e egër për të penguar anëtarësimi në Këshillin e Europës, paralelisht po lobon fuqishëm edhe kundër mundësisë që Kosova të marrë statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Në prag të seancës lidhur me çështjen ditën e premte në Sofje, instituti ndërkombëtar për sigurinë me bazë në Beograd, i kërkoi organizatës që të mos ia japë këtë status Kosovës… Në deklaratën e cituar nga media serbe, N1, thuhet se një lëvizje e tillë do të ishte e dëmshme, përveçse një precedent i rrezikshëm.
“Të 9 anëtarët aktualë të asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s janë vende të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht dhe dhënia e të njëjtit status për parlamentin e Kosovës do të ishte një precedent i rrezikshëm, do të kërcënonte integritetin dhe rolin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.”
Sipas institutit për sigurinë, Kosova është ende larg përmbushjes së të gjitha kushteve themelore për anëtarësim të mundshëm në NATO e kjo e s’kualifikon edhe nga anëtarësimi i asociuar në asamblenë parlamentare të kësaj organizate.
“Demokracia në Kosovë nuk është funksionale, institucionet e saj janë të ngarkuara me një nivel jashtëzakonisht të lartë të korrupsionit dhe praktikave të tjera jodemokratike, dhe të drejtat e komuniteteve pakicë, veçanërisht ato serbe, nuk mbrohen. Për më tepër, ata janë të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të dhunës dhe presionit të ashpër.”
Instituti serb shkon më tej, duke e përkufizuar Kosovën si kanal shtytës për krimin e organizuar ndërkufitar, kontrabandën dhe rekrutimin e ekstremistëve islamikë. Sipas tij, dhënia e statusit të ri, do të nxite me tej militarizimin e vendit, çka siç thotë është në kundërshtim me qëllimet e NATO-s dhe KFOR.