Sot janë bërë 9 ditë prej kur institucioni më i lartë i sigurisë në vend, AKI-ja ka mbetur pa krye spiun. Dorëheqja e Shpend Maxhunit nga kjo pozitë, përveç se erdhi si befasi, ende më e mistershme po mbetet se ku do të rehatohet në vijim Maxhuni. Si skenar i parë po shihet Izmiri, ku për të po përgatitet pozita e konsullit.
Një gjë e tillë megjithatë nuk është konfirmuar ende nga organet e vendit.
Kur nga Kosova u dëbuan dhunshëm gjashtë shtetas turq, në një operacion sekret të përgatitur mirë, Shpend Maxhuni që atëherë udhëhiqte me Policinë e Kosovës, ishte një nga zyrtarët e paktë të shtetit që e dinte çfarë po ndodhte ditën e 29 marsit.
Kjo ngjarje, e cilësuar si një nga skandalet më të mëdha në vend që nga pas lufta, nuk i bëri dëm Maxhunit, që pak javë më vonë do të ngrihej në pozitë, duke u vënë në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ku nuk iu pa shumë hairi.
Mirëpo, ende pa u bërë ende dy vite si krye spiun, Shpend Maxhuni e dorëzoi dorëheqjen te kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Se çka e shtyri Maxhunin të jepte dorëheqje nga zyra kryesore e institucionit më të lartë të sigurisë në vend, ende nuk është mësuar nga ai. Pavarësisht thirrjeve, ish-shefi i AKI-së, nuk ka qenë asnjëherë i qasshëm për të dhënë versionin e tij. Deri më tani është dhënë vetëm një deklaratë mbi arsyet e dorëheqjes, kjo nga kreu në detyrë i Qeverisë, Ramush Haradinaj. Ai tha se Maxhuni u largua për arsye shëndetësore.
Ky sqarim nuk ka qenë bindës, e që nga dita e largimit qarkullojnë teori të ndryshme.
Gazeta Express një ditë pas dorëheqjes së Maxhunit ka raportuar se gjithçka ka të bëjë me Gjykatën Speciale e cila e ka ftuar atë për shkak të rrjedhjes së informacioneve.
Përveç kësaj është raportuar se Maxhuni do të shpërblehet me një pozitë të rëndësishme në Turqi – shtetin e udhëhequr nga Tayyip Erdogan, të cilit ia ka bërë një favor kur ia ekzekutoi urdhrin për gylenistët.
Është bërë e ditur se Maxhuni do të emërohet konsull në Izmir, pozitë kjo që për pak kohë do të funksionalizohet.
Këshilltari i Ministrit në Detyrë të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj një një prononcim për Gazetën Express tha se të gjitha këto janë trillime.
“Informatat për të cilat po pyesni, e që janë prezantuar në disa media janë shpifje dhe trillime. Emri i z.Maxhuni asnjëherë nuk është ndërlidhur me ndonjë pozicion në diplomaci”, ka thënë Zyberaj.
Megjithatë ky dikaster e ka konfirmuar se për pak kohë do të funksionalizohet konsullata në Izmir, kjo pas një kërkese që autoritetet në vend i kishin bërë shtetit turk.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka bërë kërkesë te autoritetet turke për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Izmir. Kërkesa për ekzekuturë është bërë në muajin gusht”, ka bërë të ditur për Gazetën Express, Arben Rugova, zyrtar për informimim në MPJ.
Ai ka bërë të ditur se MPJ e Turqisë i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese në muajin tetor dhe se tashmë kanë filluar procedurat për hapjen e kësaj konsullate.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Turqisë i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese në muajin tetor, dhe pas marrjes së agremanit nga Ankaraja zyrtare, Republika e Kosovës ka filluar procedurat e nevojshme për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Izmir”, tha Rugova.
Megjithatë, në MPJ thonë se ende s’kanë filluar procedurat për zgjedhjen e konsullit.
“Po ashtu ju njoftojmë se në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk ka filluar asnjë procedurë për zgjedhjen e Konsullit të Përgjithshëm në Izmir dhe si rrjedhojë nuk kemi asnjë emër për t’ju dhënë”, ka përfunduar Rugova.
Gazeta Express për këtë temë ka kontaktuar edhe Ambasadën e Kosovës në Turqi. Përmes një përgjigje elektronike, nga kjo ambasadë kanë deklaruar se për këtë temë mund të deklarohen vetëm nga MPJ-ja.
Për çështjen e konsullit nuk kanë përgjigje as në qeverinë në largim. Mbetet të shihet nëse me këtë emërim do të merret qeveria në largim sikurse edhe me shefin e ri të AKI’së që duhet të emërohet brenda 20 ditëve të punës që nga momenti kur pozita mbetet vakante.