Kosova ka pranuar një donacion prej 55 automjeteve ushtarake të blinduara nga SHBA-ja.
Në ceremoninë që u organizua nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me rastin e pranim-dorëzimit të automjeteve, kanë folur presidentja e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Osmani ka falënderuar SHBA-në për këtë donacion dhe ka thënë se populli i Kosovës përjetësisht do t’i jetë falënderues popullit amerikan. Ajo ka thënë se shpreson në fazën e ardhshme të ketë donacion edhe helikopterë.
“Është ditë e veçantë për Kosovën, pasi partneri ynë strategjik SHBA-ja po ua dhuron forcave tona të armatosura 55 automjete ushtarake, në vlerë të madhe, që do të ndihmojnë forcat tona që të përforcojnë mëtej kapacitetet e veta e të thellojnë mëtej ndërveprimin e ushtrisë sonë me ushtrinë aleate. Si komandante supreme e kësja force jam tepër e lumtur që së bashku me ju dhe gjithë qytetarët e Kosovës po jetësohet ëndrra jonë e përbashkët që ushtria e vendit tonë të krijojë kapacitete operacionale të përafërta me aleatët tanë, e të rreshtohet përkrah tyre në sigurimin e paqes duke marrë edhe vlerësimin e tyre të vazhdueshëm”, ka thënë Osmani, e cila ka falënderuar presidentin e SHBA-së, Joe Biden, ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, dhe popullin amerikan. “Shpresoj që fazën e ardhshme të ofrojë helikopterë që i mungojnë Kosovës. Kërkojë ndihmën e aleatëve tanë për t’u pajisur me këto edhe forca jonë. Ta mbyllim sa më shpejt fazën e transformimit”, ka thënë Osmani.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit ka përmendur përballjen e Kosovës me variantin Delta të koronavirusit.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës po vazhdojnë të angazhohen që të kalohet me sa më pak pasoja e jetë të humbura.
“Përkundër gjendjes së rënduar Republika e jonë vazhdon të mbetet e përkushtuar të punojë me aleatët për të kontribuuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë, sigurinë rajonale e globale. Vendi ynë mirëpret refugjatë afganë, po mbështet ushtarakisht paqen në Lindjen e Mesme, e po mbështet vendet e rajonit në përballimin e fatkeqësive natyrore, siç ishte rasti me Shqipërinë. FSK-ja i ka aftësitë më të mëdha sesa mundësitë. Prandaj vullnetit tuaj të paepur që të jeni të pajisur si ushtarak, po ua bashkëngjisim bashkërisht edhe pajisjet tjera ushtarake, siç janë këto automjete moderne. I nderuar ministër Mehaj, e ju ushtarak të FSK-së, uroj që këto automjete të përdoren në mënyrën më të mirë në shërbim të ruajtjes së interesave të vendit, sigurisë, stabilitetit në vend, në rajon e më gjerë. Falënderoi edhe njëherë SHBA-në për këtë donacion me vlerë aq të madhe”, ka thënë Kurti.