Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviç dënuan ashpër dhunën e njësive paraushtarake serbe në veri të Kosovës, si dhe “heroizimin” e tyre nga Beogradi, duke kërkuar nga BE dhe Perëndimi të marrin masa kundër Serbisë.
Të dielën, më 24 shtator, rreth tridhjetë pjesëtarë të armatosur rëndë të njësive paraushtarake serbe vranë policin Afrim Bunjaku në fshatin Banjskë në Zveçan, në veri të Kosovës. Forcat e sigurisë së Kosovës eliminuan tre sulmues serbë në betejë, prandaj Beogradi shpalli ditë zie.
“Kemi një krim, vrasjen e një punonjësi policie dhe heroizimin e atyre që e kanë kryer atë”- thanë ata.
Gjatë vizitës zyrtare në Zagreb, Rama në një konferencë për median në Banski dvori tha se agresioni i forcave paramilitare është po aq shqetësues sa edhe reagimi i Beogradit.
“Kemi një krim, vrasjen e një punonjësi policie dhe kemi heroizimin e atyre që e kanë kryer”, tha kryeministri shqiptar, duke theksuar se kjo nuk duhet të jetë e pranueshme në Europë.
Nga ana e tij kryeministri kroat Plenkoviç theksoi se këto lëvizje “nuk mund të mbeten pa përgjigje” dhe se vendimi i Beogradit në ditën e zisë “pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ka ndodhur”. Ai theksoi nevojën e një hetim për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka ndodhur, pas së cilës i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të propozojë masa.
Kryeministri Edi Rama, tha se duhet të merren masa nga BE ndaj Serbisë ashtu siç janë marrë kundër Kosovës.
“Masat të merren edhe për Serbinë. Ka programe ka marrëdhënie për ti thënë stop dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet që në mes të Europës dhe një rajoni një grup kriminal i armatosur gjer në dhëmbë ushtarakisht me uniforma ilegale t’i marrë jetë një polici e ti gëzohet nderit më të lartë zisë kombare. Ky është kulmi e papranueshme”
Plenkoviç: Jam i sigurt se do të merren masa
Komisioni Evropian (KE) gjithashtu mund të miratojë masa në mënyrë autonome, pa pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare, siç bëri kundër Kosovës disa muaj më parë. Për shkak të mosrespektimit të kërkesave të BE-së ndaj Prishtinës, KE mori masa për të pezulluar punën në trupat punues në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, tërhoqi ftesat për takime të nivelit të lartë dhe pezulloi Kosovën nga programi i saj prej 7.5 miliardë eurosh.
Kryeministri kroat theksoi se është i sigurt se masat do të merren dhe Rama kërkoi që ato të zbatohen “pa humbur kohë”, sepse vendimi i Beogradit në ditën e zisë nuk lë vend për interpretime të ndryshme.