Kosova si qendër e kulturës moderne shqiptare dhe izolimi i ri i Shqipërisë

Alias-Autor: Andy Wharhol*

Gjithmonë e kam patur mendimin që brezi i Ramës është brezi më i degraduar që mund të ketë qenë në Shqipëri. I formuar në periudhën kineze, i rritur në varfërinë e tollonave të viteve ‘80 dhe ‘90 se ka patur mundësinë të zhvillohej kulturalisht, sidomos në drejtimin muzikor. Duhet të dimë që muzika është elementi i parë kulturor që merr njeriu që kur lind, dhe ky brez deri 20 vjeç është rritur me idenë që Vaçe Zela dhe Luan Zhegu janë këngëtarët më të mirë në botë. Jam i sigurt që këtë e ka patur dhe Rama sepse familjarisht nuk ka origjinë muzikore (Vunoi s’ka këngë qytetare).

Ka patur një pakicë (ku përfshihet Rama), që për arsye se ishin fëmijët e udheheqjes komuniste dhe shpures së vet, kishin magnetofon në shtëpi dhe mund të dëgjonin muzike të huaj. Prevalonte muzika italiane dhe jugosllave, por jo rocku shqiptar i Kosovës (grupe si Minatori, Gjurmet, apo këngëtarët Muharrem Qena, Violeta Rexhepagiqi, etj etj). Kjo sepse nuk mund të lejohej që në gjuhën shqipe të kishte muzikë rock. Ndaj ky brez u rrit me perceptimin që në Kosovë ka injorancë në muzikë. Edhe në ato pak raste kur TVSH jepte këngët e Nexhmije Pagarushës apo Esat Bicurrit këto me shumë pëlqeheshin nga qytetet e veriut të Shqipërisë por jo nga jugu ushtarak.


Kjo gjë solli një problem shumë të madh tek ky brez. Nuk kanë kënaqësi të këndojnë këngë të kohës (moderne) në gjuhën e tyre, por vetëm muzikë folklorike. Modernizmin e shohin vetëm duke kënduar këngë në gjuhë të huaj.

Ironia është që shqipot në Shqipëri kujtonin se ishin superiorë ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe akoma s’e kanë kuptuar që janë populli me injorant në Europe përsa i përket kulturës moderne.

Të gjithë e kujtojnë se çfarë ndryshimesh sollën në muzikën shqiptare këngëtarët kosovarë që në Festivalin e RTSH-së deri në koncertet në Tiranë dhe në rrethe. Jo vetëm ne muzikë por dhe në shprehi teksti dhe fonetike, duke dhënë një kënaqësi të veçantë të dëgjimit të gjuhës shqipe e kombinuar me tingujt mahnitës.

Më poshtë po rendis disa arritje, të cilat i krahasoj me muzikën në Shqipëri:

-Aktualisht i gjithë tregu muzikor shqiptar në Shqipëri është i pushtuar nga Kosova. Konkretisht filmat e prodhuar në Kosovë janë fitues çmimesh ndërkombëtare dhe marrin pjesë në festivale prestigjoze si i Cannes apo Sarajevës. Në Shqipëri po bëjnë film nga romani ordiner i Dritëro Agollit.

-Aktorët e Kosovës dhe trupat teatrale kanë bërë shfaqje në të gjithë Europën dhe SHBA. Tek ne shkojnë vetëm në Kinë ndonjëherë.

-Në Kosovë bëhen 3 festivale filmi ku vijnë si pjesmarrës regjisorë dhe artistë ndërkombëtare. Tek ne mezi mblidhen 50 persona.

-Në Kosovë vitin tjetër bëhet eventi i madh kulturor i artit vizual ” MAnifesta”. Tek ne Galeria e Arteve mbahet akoma tek pikturat e komunizmit.

-Në Kosovë fitojnë medalje ari në olimpiadë. Tek ne kjo s’ndodh.

-2 ndër kitaristët më të mirë botërorë të kitarës klasike; Petrit Çeku dhe Agron Peni janë nga Kosova. Ne s’kemi fare.

-Kosova është një ndër qendrat e animacionit 3D ne Ballkan. Tek ne vuan të gjesh një grafist të mirë “Photoshop”-i.

-Shto këtu dhe Rita Orën, Dua Lipën, Era Istrefin etj etj.

Çfarë ndodh në Shqipëri?

Gjithmonë mendoj që nga kosovarët ne na dallon fakti që ne s’kemi ndërgjegje. Mungesa e ndërgjegjes bën që të justifikohen të gjitha krimet dhe vjedhjet. Rama e ka kuptuar këtë gjë sepse e ka vetë dhe e përdor më së miri duke viktimizuar dhe qytete të tëra si Korça në rastin e koncertit të Bregoviçit.

Korça fatkeqësisht ka pësuar në kohën e Rilindjes Socialiste një degradim kulturor të frikshëm. Të gjithë aktorët e Teatrit të Korçës ishin pro prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërkohë dilnin protestonin kundër UEFA-s për rastin e Skënderbeut. Për ironi të fatit muzeumet në Korçe më shumë i vizitojnë shqiptarët e Kosovës dhe pothuaj aspak të Shqipërisë që e kanë mendjen vetem të ushqehen.

Rama duke dashur të ketë nën kontroll çdo gjë, po investohet të risjellë kulturën e komunizmit në formë të stilizuar. Jo më kot u financua Bunkart, jo më kot bëhen këngë me këngëtare surrogato të komunizmit nga bashkitë. Jo më kot u be stil alla “James Bond” shtëpia famkeqe e Gjetheve, jo më kot tema e pjesëmarrjes në Bienalen e Arkitekturës në Venezia ishte fqinjësia e mirë në komunizëm (ku spiunonte gruaja burrin) dhe jo më kot Blendi Gonxhe shëtit me makinë Gaz në retrot e tij të shëmtuara ish-shefin e Sigurimit në Pogradec.

Nga teatri dhe opera janë përzënë prej kohësh regjisorët e huaj dhe janë shkëputur marrdhëniet me Kosovën.

Ka një bojkotim masiv të institucioneve kulturore te Kosovës nga institucione shqiptare.

Kjo vihet re dhe në popullsinë e gjerë. Shqiptarët e Kosovës si në dimer dhe në verë organizohen me dhjetra autobusë dhe vizitojnë të gjithë qytetet e Shqipërisë. Nga Shqipëria nuk e bëjnë këtë. Në lokalet në Kosovë gjithmonë dëgjon këngë qytetare korçare, çame, shkodrane, etj. dhe vetëm në Shkodër dëgjon muzikë qytetare të Kosovës.

Mungesa e solidaritetit

Një fenomen shumë shqetesues që ekziston në Shqipëri është mungesa e solidaritetit mes vedit. Ne behemi solidarë dhe kur një kamion shtyp një francez në Paris por jo mes nesh dhe kosovarëve.

Kjo vjen sepse në komunizëm baballarët dhe mamatë tona dilnin në turma duke u gëzuar për dënimet me pushkatim në komunizëm. Dhe kur s’do komshiun s’ke si të duash Kosovën.

Ne rastin e atyre maskarenjve që janë pro Bregoviçit kjo reflekton më shumë, sepse tregon jo vetëm mungesë humanizmi por dhe jam i sigurt që janë injorantë jo vetëm ndaj muzikës aq të bukur të Kosovës por dhe ndaj artit në përgjithësi.

Rama është përfaqësuesi politik i këtyre njerëzve. Duke mos patur moral dhe ndërgjegje (rastet kanë treguar se piktorët s’e kanë për gjë që mbasi të mbarojnë pikturën të shkojne me prostituta) ai me shijen e tij kriminale kënaqet kur provokon njerëzit dhe i fut ne konflikt duke realizuar shijet e tij perverse.

Për të arritur qëllimin e tij të deleguar për të armiqësuar shqiptarët e Kosovës me shqiptarët e Shqipërisë.

Por kosovarët janë shumë më të zgjuar se ne dhe nuk e kapin atë grep.

*VINI RE: Andy Warhol është nofkë/alias. Autori është funksionar publik.