Driton Tali, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufcës, ka komentuar deklaratën e kryeparlamentarit Ivica Daçiq, se “Kosova duhet të ndërrojë emrin”. Daçiq, teksa ka reaguar pas një vendimi që në objektin e Kuvendit të Kosovës të mos shërbehen produkte serbe, ka kërkuar që Kosova të ndërrojë emrin pasi sipas tij, “Kosovë është fjalë serbe edhe sipas uebsajt të CIA-së”.
Tali ka thënë se edhe ai është për ndërrimin e emrit të Kosovës. Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se preferon emrin Dardani, pasi fjalët “Kosovë” dhe “Metohi” kanë origjinë greke e jo serbe.
“Unë mbase pajtohem me Daçiqin sa i përket ndërrimit të emrit shtetit tonë. Unë e preferoj emrin Dardani, sepse edhe historikisht ka më shumë kuptim. E sa i përket pohimit të tij se fjala Kosovë është me origjinë serbe, ai dhe si të tillët, e dinë që nuk është ashtu, sepse fjalët Kosovë dhe Metohi kanë origjinë greke”, është shprehur Driton Tali.
Ai ka sqaruar se pse këto dy fjalë kanë origjinën nga greqishtja, duke thënë se kjo gjuhë ishte edhe gjuhë e kishës.
“Pse greke sepse greqishtja, nga mesi i shekullit të dytë para erës sonë, u bë “gjuhë e përbashkët – ndërlidhëse (Lingua Franca). Për faktin se grekët e vjetër u asimiluan si etnitet i veçantë kulturor, pra u zhdukën, dhe gjuha e tyre u bë fillimisht “gjuhë aristokrate” në Perandorinë Romake (diçka sikur frëngjishtja që ishte në shekujt 17 – 19 të erës sonë), të cilën e flisnin elita, por edhe për shkak se grekët e vjetër i lanë njerëzimit vepra të mëdha. Mirëpo, me shkruarjen e Biblës në greqishte, greqishtja bëhet edhe gjuha e Kishës, dhe me përhapjen e krishterimin bëhet edhe gjuhë e masave – vegjëlisë. Dhe natyrisht që ajo pëson edhe ndryshime, prandaj edhe e merr emrin “greqishte koine” (që kishte ndryshime nga ajo e ashtuquajtura “greqishte klasike”)”, ka thënë më tej Tali.
Këshilltari i Konjufcës ka thënë poashtu se ilirët e pranuan krishterimin para sllavëve. Ai ka treguar edhe kuptimin e fjalës “Kosovë”.
“Në këtë aspekt patjetër duhet cekur edhe faktin se në ilirët e pranuam krishterimin shumë para sllavëve. Bile iliri Shën Jeronimi ishte i pari që e përktheu Biblën në latinishte, në shekullin e 4. Andaj, termet Metohi (Metoxia), që nga greqishtja d.m.th., pronë e kishës – manastirit, dhe Kosova, një zog i zi që këndon bukur, duhet shikuar në atë pasqyrë. Serbët e kanë marrë nga greqishtja edhe ashtu e quajnë një zog (kos), por që nuk e ka cilësinë “këndimit të bukur””, është shprehur ai.
Driton Tali ka shtuar se historianët serbë kanë bërë propagandë me fjalët “Kosovë” dhe “Metohi”, duke i paraqitur ato si serbe.
“Goxha propagandë kanë bërë me zogun kos. Here duke e paraqitur si sorrë, e herë si çafkë e më shumë here si korb. Zogj këta që janë shumë të përhapur në këtë trevë. Unë mendoj se edhe mos njohja e historisë sonë, sidomos të antikitetit të vonshëm dhe mesjetës së hershme, ka bërë që ne të futemi në grackën e historianëve serbë, ku shkojnë aq larg sa termet Metohi dhe Kosovë i paraqesin si serbe”, ka thënë Tali.
Sipas tij, termet greke janë si rrjedhojë e zhvillimeve fetare dhe jo etnike, siç pretendojnë sllavët.
“Është nonsens që Perandorisë Romake (Lindore), të ashtuquajturës “Bizant” t’i jepet konotacion sllav ose edhe grek. Sepse, ashtu siç e ceka më kartë, grekët nga shekullit i dytë p.e.s., zhdukën kurse sllavët ende ishin në Karpate. D.m.th., në këtë gadishull kishte Ilirë dhe thrakas. Andaj logjikisht, nga kur iliri Konstandin e “ndau” perandorinë në dy pjesë, Lindorja gjithmonë ishte e jona. Ne ilirët asnjëherë nuk e luftuam për faktin se të shumtën perandorët ishin tanët (Ilirë), d.m.th., e trajtuam si tonën. Kurse sllavët e luftuan disa herë. Pra, për ta përfunduar këtë temë, termet greke janë si rrjedhojë të zhvillimeve fetare dhe jo etnike (pra popull grek nuk kishte) për faktin se (ashtu siç e ceka disa herë) greqishtja (koine) ishte gjuha kishtare, dhe ne ishim të krishterë”, ka thënë Tali.
Ai ka shtuar se “kjo punë është për historianët e Kosovës”, për të cilët ka thënë se “nuk e di pse heshtin”.