Një kosovar është dënuar me 46 muaj burgim dhe është dëbuar për shtatë vjet nga Zvicra, pas një aksidenti që shkaktoi në vitin 2019, shkruan të enjten e përditshmja zvicerane Tagblatt. Ai madje për shtatë vjet nuk do të lejohet të hyjë në asnjë vend që është në zonën Schengen.
Kosovarit iu komunikua dënimi nga Gjykata e Qarkut e Dietikonit të mërkurën.
Më 5 tetor 2019, 22-vjeçari po voziste një BMW kur aksidentoi një Ford Focus në të cilën ishin një grua dhe vajza e saj. Ato mbetën të lënduara rëndë.
Gjatë seancës për rastin, gruaja u shpreh se ende po vuajnë pasojat nga ai aksident dhe jeta e tyre është kthyer përmbys.
Prokurori kërkoi katër vjet burgim dhe dëbim për shtatë vjet nga vendi, ndërsa avokati mbrojtës i të pandehurit kërkoi 20 muaj burgim me kusht, si dhe të shmangej dëbimi.
Në fund, kosovari u shpall fajtor për akuzat e lëndimeve të shumta të rënda trupore dhe mosdhënie të ndihmës urgjente.
Kosovari, përveç dënimit, i ka borxh mbi 200 mijë franga. Sipas gjykatës, 22-vjeçari në parim është përgjegjës për dëmet ndaj gruas, vajzës dhe burrit të saj. Ai duhet t’i paguajë gruas 70 mijë franga plus pesë për qind interes që nga dita e aksidentit. Për vajzën do të paguajë 50 mijë franga plus interes, për burrin 25 mijë franga plus interes. Në borxh përfshihen edhe shpenzimet procedurale e tarifat gjyqësore.
Ai mund ta apelojë vendimin në gjykatën më të lartë në Zvicër.