Është nga Kosova por me nënshtetësi amerikane. Lirim Sylejmani la SHBA’të për t’iu bashkuar terroristëve të ISIS’it, por sot ai ndodhet nëpër burgjet e Sirisë, bashkë me bashkëluftëtarët e tij. Prej atje, ai po thotë se nuk është penduar për këtë që bëri.
Rrjeti i televizionit dhe radiove, CBS News në muajin shtator ka realizuar një kronikë në burgun e sigurisë së lartë në veri-lindje të Sirisë, ku për herë të parë është lejuar kamera televizive.
Sipas gazetarës së këtij mediumi, burgu është si Kombet e Bashkuara, kjo pasi që atje kishte njerëz nga Belgjika, Holanda, Gjermania, por edhe Amerika.
E nga Amerika për t’iu bashkuar ISIS’it shkoi edhe një kosovar, Lirim Sylejmani.
Ky i fundit, nga burgu në të cilin duket se jeton në gjendje të mjerueshme, ka dhënë një deklaratë të shkurtër për gazetarët.
“Zgjedhjet që bëra në sytë e dikujt tjetër janë të gabuara, kështu që po përballem me burgun. Unë nuk besoj që bëra gabim, unë vetëm doja të jetoja nën ligjin Islamik”, ka thënë Sylejmani, transmeton Gazeta Metro.
Ata u nisën për një ‘parajsë islamike’, por përfunduan duke jetuar nëpër burgje, disa prej tyre me lëndime serioze që i kanë marrë nga fusha e betejës.
Sidoqoftë, sa i përket ISIS, javën që lam pas Presidenti Amerikan, Donald Trump, njoftoi se Ushtria Amerikane në një operacion të madh ka vrarë liderin e tyre, terroristin Abu Bakr al-Baghdadi, por që ende ekzistojnë militantë dhe përkrahës të ideve të këtij të fundit.