Milazim Krasniqi, ka treguar disa nga arsyet e largimit nga LDK-ja në vitin 2000.
Krasniqi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se ka qenë ndërmjetës dhe emisar Ibrahim Rugovës.
Ai thotë se Rugova ishte takuar me Ramiz Alinë dhe gjatë një vizite që kishte në Tiranë e kanë dërguar për të bërë homazhe te varri i Enver Hoxhës”.
“Kur ka shkuar atje i kanë dhënë kurorë për ta vendosur te varri i Enver Hoxhës, ndërsa Rugova nuk e ka bërë këtë. Në atë moment dy ushtarë që kanë bërë roje ia kanë drejtuar kallashnikovin. Vetëm ndërhyrja e personelit ia ka shpëtuar jetën”, tha aui
Krasniqi thotë se ne vitet e para pas demokracisë në Shqipëri Rugova kishte raporte shumë të mira me Berishën, por thotë se raportet mes tyre u ftohën në kohën kur Berisha i bëri thirrje Rugovës për t’iu bashkuar opozitës serbe për ta rrëzuar Millosheviqin.
“Rugova nuk ka dashur të dëgjojë më për asnjë sinkronizim me politikën serbe të asaj kohe”.
Profesori universitar thotë se Rugova shpëtoi Kosovën nga një shkatërrim total kur refuzoi të futej në luftë me Serbinë në vitin 1992.
Ai ka folur edhe për largimin e tij nga LDK-ja në vitin 2000.
“Kam shërbyer si shef i sektorit për informim në LDK. Krejt luftën propagandistike për informim e kam bërë kundër Serbisë. QIK-u ka qenë brenda këtij sektori dhe kryetarët e degëve të LDK-së që kanë rreth 40 kanë qenë të shtrirë në gjithë Kosovës. Propaganda jonë e ka mposhtur propagandën e Tanjugut dhe Serbisë”.
Krasniqi thotë se ka shkuar në zonat e UÇK-së ku asnjë zyrtarë tjetër i LDK-së nuk ka mundur të shkojë dhe sipas tij ka “punuar shumë për të unifikuar spektrin e Kosovës”. Kam organizuar takime të shumta në këtë drejtim dhe kam insistuar për një marrëveshje për të mos përfunduar në një konflikt civil”.
Ai thotë se “gabimi fatal” i Rugovës ishte se ai nuk e pranoi këtë iniciativë për unifikim të spektrit pavarësisht se thotë edhe pala tjetër që ishin UÇK-ja kishin fajet e tyre.
Krasniqi thotë se vlerësimi negativ i LDK-së në atë kohë për UÇK-në ishte gabim historik.
“I kam thënë në atë kohë Rugovës në takimet që kam pasur në shtëpinë e tij: ‘O kryetar ne mbesim miq, por mes historisë dhe politikës unë do të zgjedh historinë. Rugova kishte vlerësim negativ për UÇK-në edhe pas luftës. Madje ai ka pasur me UÇK-në edhe hidhërim personal”.
Ish-themeluesi i LDK-së thotë se Rugova në një kohë doli edhe kundër ndërkombëtarëve që i ofruan një qeveri të përbashkët më UÇK-në dhe sipas tij për shkak të pozitës që kishte në LDK nuk mund ta përballonte këtë situatë dhe vendosi të dorëhiqej.