Në deklaratën e parë të dhënë para prokurorisë, udhëheqësi i klanit kriminal serb, Veljko Belivuk, i dyshuar për vrasje të shumta, ka thënë se, pos tjerash, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i kërkonte atij shërbime të ndryshme.
Rrezja e shërbimeve që presidenti serb ia kërkonte Belivuk-ut, ishte “nga frikësimi i tifozëve në tribuna deri në prishjen e demonstratave”.
Vuçiç, normalisht, ka mohuar këto akuza. Madje deklaroi se është i gatshëm të bëjë edhe një poligraf (makinë që matë ndryshimet fiziologjike, pulsin, nivelin e frymëmarrjes, etj, për të detektuar se a po gënjen personi), derisa në ditët në vijim do të paraqes prova shtesë kundër Belivuk-ut.
Siç thotë Vuçiç, me Belivuk-un kurrë nuk është parë, aq më tepër të ketë komunikuar me të.
Por, krimineli serb pohon se kontakti nuk ishte i drejtpërdrejtë. Ata kishin një person të tretë nëpërmes të cilit komunikonin. Bëhet fjalë për Aleksandër Vidojeviç, i njohur si Aca Rosavi, “një mik i ngushtë i djalit të presidentit, Danilo Vuçiç”.
Për profesorin e Fakultetit Juridik, Vladimir Vuletiç, dikur nënkryetar i klubit futbollistik Partizani në Beograd, deklaratat e drejtuesit të grupit kriminal të bëra para prokurorit shpërfaqin në mënyrë të qartë lidhjen midis zyrtarëve më të lartë shtetërorë dhe grupit të Belivuk-ut.
“Këtu kemi gjithçka, nga prishja e protestave, parandalimi i tyre, shërbime miqësore për persona si Zvezdan Terziç (drejtor i Yllit të Kuq në Beograd), takime personale në apartamentin e famshëm në Zvezdara, e deri te anëtarësime në partinë e Vuçiç, në SNS”.
“Prokurori kompetent do të duhej që sot, nëse ka një thërrime kredibiliteti profesional, të fillojë dëgjimin e Presidentit Vuçiç për këto akuza”, por ai dyshon që kjo do të ndodhë, meqë shteti dhe organet e drejtësisë janë të kapura nga Vuçiç.
“Nëse prokuroria do të ishte e pavarur siç parashihet me ligj, sot do të kishim një hetim kundër zyrtarëve më të lartë të shtetit për të cilin flet Belivuk. Një pjesë e shëndetshme, pa kancer e shtetit do të fillonte një përballje me ‘pronarët’ e grupit të Belivuk”.
Edhe gazetari i televizionit NIN në Serbi, Vuk Cvijiç, vlerëson për gazetën serbe Danas se shumë nga gjërat që Belivuk tha në deklaratën e tij janë të vërteta, dhe se ato u konfirmuan nga anëtarët e Ministrisë së Brendshme.
Por, opozita në Serbi ka frikë se tashmë Vuçiç, përmes mediave që kontrollon, do të fillojë një fushatë të egër në favor të tij, duke shtypur zërat kritik dhe rritur volumin e atyre që e mbështesin.