Në kulmin e debatit për heqjen e fjalës “nënë” që kërkon komuniteti LGBT, Kristi Pinderi solli rastin e dy vajzave, që kanë krijuar familjen së bashku. Aktivisti që mbron të drejtat e komunitetit LGBT tregoi në “Facebook” sesi Anisa dhe Elida janë bërë nëna.
“Anisa dhe Elida janë dy gra të reja të cilat kanë 10 vjet që jetojnë bashkë. Ndajnë me njëra-tjetrën ato që ndan çdo çift në botë: përkushtim, intimitet, pasion. Në janar të vitit 2021, pas një planifikimi të gjatë që përfshinte diskutimin e shumë çështjeve, ngritjen e shumë pikëpyetjeve, frikërave, pasigurive por edhe shpresave, Elida lindi dy vajza, produkt i inseminimit artificial. Fëmijët, dy ëngjëj që ua kanë transformuar jetën në një mënyrë që kush ka lindur e di shumë mirë, po rriten aktualisht nga të dy nënat e tyre. Përkushtimi është i përbashkët, por edhe ndarja e përgjegjësive është e barabartë. Të dyja i ushqejnë fëmijët, i ndërrojnë, i lajnë, u këndojnë ninulla, luajnë me to, i mbajnë në gjoks derisa i zë gjumi, janë të dyja aty kur fëmijët zgjohen duke qarë, janë po të dyja aty kur fëmijët flenë.”
Përmes kësaj historie, ai kërkon nga shteti shqiptar që ligjet t’i shohin familjet e komunitetit LGBT njësoj si familjet e tjera. Pinderi tha se nuk duhet të ketë dallime e diskrinimine, siç sipas tij, ndodh sot.
“Çdo familje është e shtrenjtë, çdo familje është një sistem më vete që ndërvepron me sisteme të tjera në formën e rrathëve ciklikë, edhe me institucione siç janë shkolla, shteti, ambienti i punës, komuniteti ku jetojmë, familja e zgjeruar, etj.. Është pikërisht për këtë arsye që jeta familjare është një e drejtë e njeriut që sanksionohet nga çdo dokument ligjor, në çdo hapësirë fizike e sociale të këtij globi. Për të lehtësuar këtë ndërveprim, shoqëria shqiptare bazohet në ligj. Mirëpo që ligji të funksionojë, pra që të ketë një efekt të njëjtë për këdo pa asnjë dallim e diskriminim, duhet që mbi të gjitha të jetë i aftë të na shikojë të gjithëve njësoj. Siç është sot, ligji shqiptar nuk ka mjete për të parë e as për të mbrojtur familjet LGBT si familja e Anisës dhe Elidës me dy fëmijët e tyre.”