Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe nisën bombardimet kundër pozicioneve të Houthi në Jemen pasi militantët e mbështetur nga Irani, refuzuan të dëgjojnë paralajmërimin për të mos vazhduar sulmet e tyre në Detin e Kuq.
Lajmin e raporton New York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë të mbrojtjes. Sipas gazetës, pritet pjesëmarrja e aleatëve të tjerë, përfshirë Holandën, Australinë, Kanadanë dhe Bahreinin, në “aleancën” për të ndaluar grupin e militantëve që të ndërpresin kalimin e anijeve përmes detit të Kuq.
Këto bombardime shënojnë përgjigjen e parë ushtarake amerikane ndaj asaj që ka qenë një fushatë e vazhdueshme sulmesh me dronë dhe raketa kundër anijeve tregtare që nga fillimi i konfliktit Izrael-Hamas dhe vijnë vetëm një javë pasi Shtëpia e Bardhë dhe disa vende aleate lëshuan një paralajmërim përfundimtar.
Sipas Times dhe mediave të tjera amerikane dhe angleze, shpërthime u dëgjuan në Jemen, vetëm disa orë pasi Rishi Sunak i dha dritën jeshile sulmeve ajrore britanike.
“Me urdhrin tim, forcat ushtarake amerikane, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës, kanë kryer me sukses sulme kundër një numri objektivash në Jemen të përdorura nga rebelët Houthi për të minuar lirinë e lundrimit në një nga rrugët ujore më vitale në botë”, shkroi presidenti amerikan Biden.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani, i dënoi me forcë sulmet e SHBA-së dhe Britanisë në Jemen, duke i konsideruar ato një veprim arbitrar dhe një shkelje të qartë të sovranitetit dhe integritetit territorial.