Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, të mërkurën e 8 qershorit do të arrijë në Kosovë për vizitë zyrtare.
Kryediplomati grek në ora 15:00 do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Por, sipas zyrës për media të Osmanit, pas takimit nuk pritet të ketë deklarime për media.
Ndryshe, Greqia është ndër pesë vendet e BE-së që heziton të njohë Kosovën shtet të pavarur.
Më 3 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me shefen e Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali, për të disatën herë radhazi brenda një periudhe të shkurtër kohore ka kërkuar nga përfaqësuesit e shteti helen njohjen shtetësisë së Kosovës.
“Teksa i dëshiroi mirëseardhje zonjës Vakali, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të tyre nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve”.
Kurti ka lajmëruar se Kosova do të përgatitet të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veri-Atlantike (NATO).
Për t’u anëtarësuar në secilën nga këto organizata duhet konsensus i përgjithshëm. Në BE janë pesë shtete mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në NATO janë katër sosh.
Përkatësisht, Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumunia dhe Qipro e cila nuk është në NATO.