Kryediplomati rus, Sergei Lavrov, e ka përmendur bombardimin e Serbisë nga NATO, si shkak për të thënë se Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior nuk është mbrojtëse.
Kështu Lavrov i është kundërpërgjigjur Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk mund të konsiderohet mbrojtëse, duke marrë parasysh operacionet ushtarake që ka kryer në Jugosllavi, Libi dhe Afganistan”, tha Lavrov.
“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë me krenari se NATO është një aleancë mbrojtëse. Vështirë se mund të quhet mbrojtëse. Nuk duhet të harrojmë se ata e bombarduan Jugosllavinë për gati tre muaj, pushtuan Libinë në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit, si dhe si u sollën në Afganistan”, shtoi shefi i diplomacisë ruse.
Lavrov ka thënë për televizionin rus, “Prvi kanal” se pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, NATO në thelb “pushoi së qeni një aleancë mbrojtëse”, ndërsa shpërfaqi shqetësimin e madh të Rusisë për mundësinë e futjes së Ukrainës në NATO.
“Hyrja e saj në Aleancë do t’i dëmtojë me të vërtetë marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit”, tha ai.
NATO-ja ka thënë se është e përgatitur për ta rritur prezencën në vendet anëtare të Evropës Lindore nëse Rusia e pushton Ukrainën dhe disa vende anëtare të aleancës kanë ofruar pajisje ushtarake për Kievin.
Washingtoni ka thënë se synon zgjidhje diplomatike për krizën dhe se Rusia duhet ta largojë prezencën ushtarake afër kufirit me Ukrainën.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se pret ta takojë Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në javët e ardhshme për një tjetër rund negociatash, mirëpo Putini do të vendosë si të përgjigjet ndaj pozicionit amerikan për kërkesat e Moskës.
Moska ka mbështetur separatistët në luftën në lindje të Ukrainës, e cila ka marrë jetën e më shumë se 13,200 personave prej vitit 2014, vitin kur Rusia e ka aneksuar Krimenë.