Nga Frank Shkreli
At Gjergj Fishta, Albin Kurti dhe Dom Mikeli. Kush janë dhe çfarë kanë të përbashkët këta tre burra shqiptarë? At Gjergj Fishta, Frati i maleve, Politikani dhe Poeti i madh i Kombit shqiptar, Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës, një politikan ndryshe i një brezi të ri udhëheqsish shqiptarë. Të dy janë, emra të njohur të botës shqiptare — ndonëse i përkasin periudhave të ndryshme të historisë kombëtare dhe Dom Mikel Tarabulluzi, kleriku katolik dhe mësuesi, i cili në vitin 1905 hapi shkollën e parë shqipe në Kosovë. Këta tre burra të Kombit u “bashkuan” në “Takimet e Dom Mikelit”, të shtunën me 18 shtator në Stubëll të Vitisë, në Kosovë, njëri prej fshatrave më të vjetër të Dardanisë.
Stublla, sipas studiuesit vendas Engjëll Koliqi, është e njohur në historinë e asaj zone si një vatër dhe qendër lëvizjesh kombëtare për çlirimin e trojeve shqiptare nga zgjedha shumëshekullore e perandorisë osmane. SOT JEMI GJITHE ME TIA, O KOSOVE! (arbitalia.it) Ai shkruan në linkun e bashkangjitur se në Stubllën krenare është përgatitur edhe plani operativ i Luftës së Kaçanikut të vitit 1910, që shënoi fillimin e Kryengritjes mbarëkombëtare, për liri. “Siç shpreheshin nxënësit e Dom Mikel Mësues Tarabulluzi-t, që i kam takuar sa ishin të gjallë, (Shkollën e Dom Mikelit) shpesh e vizitonin patriotë të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe udhëheqës të Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar. Për këtë, në intervistën e zhvilluar më 13 shkurt 1984, njëri nga ata – Tade Ballabani, ndër të tjera ka thenë: “Ma së shumti më kanë mbetë në kujtesë Imzot Lazër Mjeda dhe Idriz Beu (Idriz Seferi – E.K.), të cilët shpesh ardhshin me dom Mikelin me na vizitue edhe na mbajshin fjalime për përparimin e luftës dhe për fundin e pushtuesve turqë”.
Siç tregojnë plot fakte historike, por siç më tregonte edhe Lokja Ime (kushërië nga nëna me Idriz Seferin), Idriz Beu, me Engj Pal Koliqi-n, Joz Ballabani-n, Jak Munishi-n e Martin Gjergji-n kishin qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Dom Mikelit dhe që të pesët bashkë e kishin hartuar planin operativ të Luftës së Kaçanikut, të vitit 1910, që ishte praktikisht fillimi i Kryengritjes Mbarëkombëtare për çlirimin definitiv nga zgjedha pesëshekullore otomane. Sapo kishin mbaruar planin, ishin marrë vesh me Isë Boletinin, i kishin mbledhur trimat vullnetarë të Karadakut e të Luginës së Moravës dhe ishin nisur drejt Stagovës, ku ishin bashkuar me njësitë që Boletini i kish sjellur nga Carraleva. Me kushtrimin e fortë për liri, ishin futur në Grykën e Kaçanikut, ku kishin dërmuar hordhitë e tërbuara të Turgut Pashës. Kjo betejë e fituar e nisi serinë e fitoreve të njëpasnjëshme mbi turqit, deri në çlirimin definitiv të Shqipërisë”, shkruan studiuesi Engjëll Koliqi.
“Takimet e Dom Mikelit” është një manifestim i përvitshëm letrar, kulturor e shkencor, që organizohet tash 32 vjet me radhë, një aktivitet përkujtimor për At Mikel Turbulluzin, klerikun e Kishës Katolike Shqiptare, mësuesin dhe themeluesin e shkollës së parë shqipe në Kosovë. Është pra një takim vjetor që kujton veprimtarinë patriotike dhe kulturore të Dom Mikelit në fillim të shekullit të kaluar, por është gjithashtu edhe një kujtim-imitim i takimeve të periudhës së tij, siç shkruan edhe studiuesi vendas Engjëll Koliqi, të patriotëve shqiptarë më të njohur të kohës, të cilët takoheshin aty në Stubëll për të hartuar planet dhe strategjitë për çlirimin e trojeve shqiptare nga otomanët.
Sivjet, “Takimeve të Dom Mikelit” në Stubëll të Kosovës, përveç udhëheqësve të Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë dhe udhëheqësve të administratës së qeverisë vendore, u është bashkuar edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, me qëllim, që përveç Dom Mikelit, “Të kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën”, ka thenë i pari i qeverisë së Republikës së Kosovës, në fillim të fjalimit të tij me atë rast.
Kryeministri Kurti në “Takimet e Dom Mikelit” është shprehur se, “Fishta është politika e poemës në gjuhë. Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar”, është shprehur Albin Kurti.
“Politikë, poemë dhe gjuhë. Kjo trini duhet parë si dimensionet e kohës së jetuar: politika si e tashmja, poema si e shkuara, gjuha si e ardhmja. Por natyrisht që koha nuk është lineare. Koha nuk është e thjeshtë. Koha është prodhimi i përmasave të saj. Te Fishta këto tri përmasa janë operatorët punëtorë të kuptimit. Dhe ç’është më e rëndësishmja për ne, si përmasa të kohës ato ngërthehen mes veti në çdo çast”, ka thenë udhdëheqsi i qeverisë së Republikës së Kosovës.
Duke e rikujtuar Fishtën si politikan, si anëtar i përfaqësisë në Versajë, apo edhe në kongresin e Manastirit, i cili i ftonte shqiptarët në një projekt të përbashkët, përtej fesë, (“Kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, Fishta), Kryeministri Kurti theksoi se Fishta nuk shpreh më pak se kategorinë themelore të publicitetit, pra të shprehjes më të madhe në një gjuhë.
Të “Kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën” ishin fjalët e Kryeministrit të Kosovës, Z.Albin Kurti. Sa bukur tingëlloinë këto fjalë nga një Kryeministër shqiptar, po të marrim parasysh së në Shqipëri At Gjergj Fishta ende konsiderohet si një figurë e pa dëshiruar, si nga politika ashtu edhe nga akademia dhe shkenca. Presim dhe shpresojmë që në një ditë jo shumë të largët edhe Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama të deklarojë, publikisht, se mbas 30-vjet post komunizëm ka ardhur koha që edhe matanë të kufirit shqiptaro-shqiptar, të “Kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën”, sepse siç është shprehur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, javën që kaloi në “Takimet e Dom Mikelit” në Stubëll të Kosovës, “Fishta është politika e poemës në gjuhë. Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar”, është shprehur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti.
Pason Fjala e plotē e Kryeministrit Kurti për lexuesit e interesuar:
Kryeministri Kurti në “Takimet e Dom Mikelit”: Fishta është politika e poemës në gjuhë – historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar – Zyra e Kryeministrit të Kosovës (rks-gov.net)
I nderuar shkëlqesia juaj, ipeshkv i Kishës Katolike Dodë Gjergji,
I nderuari Dom Jeton Thaçi, Kryetar i Shoqatës Kulturore Shkencore “Dom Mikel Tarabulluzi”,
E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, zonja Rozeta Hajdari,
I nderuari deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, zoti Gani Krasniqi,
I nderuari rektor i Universitetit Publik të Gjilanit, zoti Bajram Kosumi
I nderuari kreu i Bashkësisë Islame në Viti, Husamedin Hoxha,
I nderuari drejtor i Kulturës, në Komunën e Vitisë, zoti Milot Lala,
Zonja e zotërinj, motra e vëllezër,
Tash e 32 vite, në Stubëll të Epërme, organizohet ky aktivitet, takimet e Dom Mikelit. Shkas i organizimit është përkujtimi i Mikel Tarabulluzit, klerikut dhe mësuesit të respektuar nga gjithë shqiptarët, pa dallim besimi, i cili në vitin 1905 e hapi shkollën shqipe në Stubëll. Njashtu siç respekti për Dom Mikelin dhe figurën e veprën e tij është i madh dhe i gjithmbarshëm, edhe respekti për këtë aktivitet të përvitshëm është i fortë.
e Dom Mikelit, që mbahen pranë kishës së Stubllës, çdo vit çelin tema diskutimesh të prizmit shkencor, historik, kulturor e letrar, duke u bërë një pikëtakim i rëndësishëm intelektual dhe një kontribut, sërish jo vetëm i komunitetit katolik shqiptar, por i bashkësisë sonë të gjerë kombëtare. Figura të shquara çdo vit ligjërojnë në këto takime. Është interesante se si një aktivitet i tillë tregon për praninë e fortë dhe gjallërinë intelektuale të kahmotshme, në këtë fshat në juglindje të Kosovës. Sot mund të duket sikur këtu jemi pranë periferive të shqiptarësisë, mirëpo jo shumë kohë më parë kjo zonë ka qenë zemër e një rajoni të gjerë populluar me shqiptarë. Patriotët dhe figurat historike që kanë vepruar në këtë pjesë të atdheut tonë, tregojnë se Stublla e përgjithësisht Karadaku, apo Mali i Zi i Shkupit, përherë ka qenë një nga vatrat e veprimtarisë kombëtare, politike, intelektuale, e hera herës edhe luftarake, kur e ka kërkuar rasti.
këtu te Dom Mikeli, kujtojmë e mendojmë për At’ Gjergj Fishtën. Politikë, poemë dhe gjuhë. Kjo trini duhet parë si dimensionet e kohës së jetuar: politika si e tashmja, poema si e shkuara, gjuha si e ardhmja. Por natyrisht që koha nuk është lineare. Koha nuk është e thjeshtë. Koha është prodhimi i përmasave të saj. Te Fishta këto tri përmasa janë operatorët punëtorë të kuptimit. Dhe ç’është më e rëndësishmja për ne, si përmasa të kohës ato ngërthehen mes vete në çdo çast. Gjuha është fushë e punës, nuk është fonema e vdekur. Le ta kujtojmë Fishtën si një prej kryesorëve të Kongresit themeltar të Manastirit. Por le ta kujtojmë edhe për ndërtimin poetik të gjuhës. Sepse në lëminë e poemës punon gjuha. Në këtë kuptim gjuha është puna e së ardhmes, e poema kontabiliteti i saj në arkivimin e së shkuarës. Puna është gjithnjë në të ardhmen, ashtu sikurse dhe kuptimi. Numri i rrokjeve të vargut është i vogël, por programi është i madh, po citoj “npër gjuhë shqype bota mbarë ka me ju njoftë se ç’fis ju kini”. Gjuha është diferenca nëpër botë, por ajo është dhe karakteristika universale e botës – Leibniz.
Politikan, si anëtar i përfaqësisë në Versajë, apo edhe në kongresin e Manastirit, me thirrjen e shpeshtë ku fton shqiptarët përtej fesë në një projekt të përbashkët, Fishta nuk shpreh më pak se kategorinë themelore të publicitetit, pra të shprehjes më të madhe në një gjuhë. Nuk ka politikë pa gjuhë, nuk ka kolektiv jashtë gjuhës, dhe nuk ka gjuhë që nuk mund të mos shprehë politicitetin e njerëzve.
Gjuha është poema politike në numrin e fjalëve që shpall, në emrat gjeografikë dhe ata historik që liston. Nga një tjetër filozof gjerman, mbase më i madhi prej tyre “Gjuha është publicitet i qenies historike, dhe si e tillë është politike” – Kant.
Vetë poema, në mpiksjen e traditës e vendos Fishtën në një vend të veçantë. Natyrisht që mund ta lidhim me diçka mes lirikës dhe epikës. Për Fishtën duket se në një akt themelimi duhet të gjendet gjeografia në të cilën shtjellen breza të shqipes dhe në të cilën lartohen emra të flijimit. Kuptohet që andej se Fishta mëton më shumë se kushdo tjetër të arkivojë në lëminë e poemës, në epikën e saj, energjinë e nevojshme të sipërores që mund të bashkojë. Si dhe ne, si dhe në çdo kohë, ai e ndjen se hallka e dobët është kompleksi i inferioritetit. Poema është gjuha politike e synimeve të epërme, e qëllimeve të mbramë – pra, Romantizmi.
Fishta është politika e poemës në gjuhë. Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar. Me respekt i përshëndes punimet e sesionit të sivjetshëm të takimeve të Dom Mikelit, qofshin të mbara për pjesëmarrësit dhe të gjithë ne.
Ju falemnderit.”