Kryeministri australian, Scott Morrison ka shprehur shqetësime lidhur me planet e presidentit rus, Vladimir Putin, për të marrë pjesë në samitin e ardhshëm G20 në Indonezi më vonë këtë vit.
“Ideja për t’u ulur në tryezë me Vladimir Putin-in, për të cilin SHBA-ja tashmë është në pozicionin e thirrjes së krimeve të luftës në Ukrainë, për mua është një hap shumë larg”, tha Morrison në një konferencë për media në Clayton në shtetin Victoria.
Dje, ambasadorja ruse në Xhakartë, Lyudmila Vorobieva tha se Putin synon të marrë pjesë në takimin e planifikuar të G20-tës për në muajin tetor.
Kryeministri australian e përshkroi luftën e Rusisë kundër Ukrainës, që filloi më 24 shkurt, si një “akt të dhunshëm dhe agresiv që shkatërron sundimin ndërkombëtar të ligjit”.
Morrison tha se Australia ka “shqetësime shumë të forta” për përfshirjen e Rusisë në samitin G20, por shtoi se dëshiron që G20-ta të jetë një “sukses i madh”.
“Ne duam të përqendrohemi veçanërisht në sfidat e rajonit tonë. Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të mund të arrihen qëllimet reale të tij (samitit G20). Kështu që, mendoj se ne duhet të kemi njerëz në dhomë që nuk po pushtojnë vendet e tjera”, tha Morrison.
Duke komentuar pretendimin e SHBA-së se Rusia po kryen krime lufte në Ukrainë, Morrison tha: “Mendoj se ata kaluan përmes provave dhe i kanë bërë ato pretendime dhe Australia do të ndajë vlerësimin e tyre bazuar në atë që kemi parë”.
Perëndimi ka vendosur dënime të rënda ndaj Rusisë për fushatën e saj ushtarake dhe thuhet se po diskuton mënyrat për të përjashtuar Moskën nga forumi ekonomik. Por, Kina, e cila nuk e ka dënuar luftën, thotë se Rusia nuk mund të përjashtohet nga G20-ta.
“G20-ta është forumi kryesor për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar. Ai bashkon ekonomitë kryesore në botë, përfshirë Rusinë e cila është anëtare e rëndësishme e grupit. Asnjë anëtar nuk ka të drejtë të heqë anëtarësimin e një vendi tjetër”, tha dje në një konferencë për media zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Wang Wenbin.