I është dhënë lamtumira e fundit 18-vjeçares M.O., në varrezat e qytetit të Ferizajt, e cila u vra të dielen në banesën e partnerit të saj.
Kryeministri Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të 18-vjeçares M.O., me ç’rast tha se ajo u vra nga një recidevist, dhe kjo tregon për gjendjen e sistemit të drejtësisë në vend.
“Bëhet fjalë për një të dyshuar që ka precedent penal edhe në vitet e mëhershme në veprat e shumta që kanë qenë shkelje të ndryshme të ligjit. Kjo tregon sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të gjykojë drejt, e të gjykojë kriminelët e keqbërësit. Qeveria jonë prej fillimit ka ndërmarrë iniciativën për infrastukturë të re ligjore, në mënyrë që kurrë më të mos na përsëriten këto raste, kemi bërë ligjin e ri për mbrojtje të viktimave dhe për mbrojtjen nga dhuna në familje”, thotë Kurti.
“Të pikëlluar e të mërzitur nuk mund ta kthejmë kohën mbrapsht e ta zgjojmë Marigonën, duhet t’i mbajmë kujtimet më të mira, të angazhohem të gjithë bashkë që raste si vrasja mizore e Marigona Osmanit të mos e godasin më kurrë popullin tonë. Ngushëllime të gjithë popullit tonë. U preht e qetë Marigona, e për tu prerë me të vërtetë e qetë duhet të sjellim drejtësi për të e gjitha viktimat tjera”, tha kryeministri.
Pas dy ditësh në arrati, policia ka arrestuar sot të dyshuarin kryesor Dardan Krivaqa, ndërsa për Arbër Sejdiun gjykata ka caktuar një muaj paraburgim.