Shefi i GP-së së LDK-së, Arben Gashi, në fjalën e tij e ka përgëzuar ndryshimin e sjelljes së Albulena Haxhiut, ndaj siç ka thënë institucioneve të vendit.
Ai ka thënë se nuk e ka ndërmend me qenë agresiv me Albulena Haxhiun, pasi ajo ka pësuar zhvillim në aspektin e pranueshmërisë së institucioneve.
“Se kam njet me kanë shumë agresiv me Albulenën, sepse po shoh se ka pas një zhvillim shumë të mirë në aspektin e pranueshmërisë së institucioneve dhe kuptimin e tyre. Pra është një zhvillim pozitiv për të cilin e përgëzoj dhe po e kupton tash më mirë sesa e rëndësishme është bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë se sistemi nuk qenka aq I korruptuar se paska institucione se ckado që thojnë duhet me i pranu pa dyshime e pa diskutim të cilat janë të besueshme. Ky është zhvillim pozitiv për të cilin zonjën Haxhiu e përgëzoj”, ka thënë Gashi ndër të tjera në Kuvend.
Por, pas përfundimit të fjalës kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i ka reaguar Arben Gashit duke i thënë kujdes fjalorin sidomos me zonjat.
“Kujdes fjalorin sidomos me zonjat se zonja Haxhiu nuk ka bërtit në këtë Kuvend, por zakonisht ka diskutu”, tha Konjufca në Kuvend.
Më pas në Kuvend plasën të qeshurat.
E fjalën e mori ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila ia shpjegoi deputetit Arben Gashi se si ka rrjedhur ky “ndryshim”.
“Duhesh me dallu z.Gashi rolin e opozitës me atë se kur je në pushtet ose në qeveri. Sepse kur je ne opozitë nuk ki fuqi me o bo ndryshimet që i synon, kur je në qeveri padyshim që ke mundësi me adresu ndryshimet që i synon”, tha ajo.
Më pas Arben Gashi tha se argumenti duhet të jetë i fortë dhe toni i butë.
“Të folurit me zë të lartë, argumenti duhet të jetë i fortë dhe toni i butë…Unë mendoj që vendi ka nevojë për qetësi dhe sidomos të qeverisë dhe qeverisjes dhe ka nevojë të diskutojë me seriozitet pasi reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme dhe duhet ta bëjmë bashkë”, tha Gashi ndër të tjera.