Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se barrikadat në veri për t’i kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës nuk vijnë nga poshtë por vendosen nga lart.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën ka thënë se për dokumentin që lëshohet në pikat kufitare në veri, në kuadër të vendimit për reciprocitet për dokumente, nuk do të duhet të bëhet pagesë.
“Kam dëgjuar për lajmin e rremë se ID-të do të konfiskohen në veri në këmbim për dokumentin për hyrje – dalje. Kjo nuk është e vërtetë. Dokumenti është shtesë që jepet pa pagesë. Ju bëjë thirrje që të përcjellni me vëmendje njoftimet nga Qeveria e jonë dhe organet bartëse. Ne e dimë që barrikadat që rëndom vendosen në veri nuk vijnë nga poshtë por vendosen nga lart. Ato as nuk përfaqësojnë juve qytetarë tanë e as nuk ju mbrojnë ju, kurse në anën tjetër Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë edhe përbëhen nga qytetarë tanë pa dallim edhe janë në shërbim të qytetarëve tanë pa dallim”, ka thënë Kurti.
Qeveria në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar edhe anëtarët e bordeve të disa ndërmarrjeve publike në Kosovë.