Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të hënë ka zhvilluar një takim virtual me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.
Merkel ka uruar Kurtin për fitoren ndërsa ka shprehur mbështetjen për progamin e Qeverisë për drejtësi dhe punësim, duke vënë në spikamë marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, ku ajo nënvizoi projektin e Parkut për Inovacion dhe Trajnim në Prizren i mundësi për zhvillimin e biznesve.
Tutje, Merkel ka përgëzuar Kurtin për menaxhimin e situatës me pandeminë dhe ka shprehur angazhimin e saj në sigurimin e më shumë vaksinave.
“Kryeministri konfirmoi përkushtimin për realizimin e planeve për reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe angazhimin për tërheqjen e investimeve, të cilat krijojnë vende të reja të punës. Ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, sidomos nëpërmjet investimeve të përbashkëta të afaristëve gjermanë dhe mërgatës së madhe shqiptare që jeton në Gjermani”, thuhet në kumtesë, transmeton KlanKosova.tv.
“Në diskutimet për mërgatën e Kosovës në Gjermani, kancelarja theksoi se është duke shikuar me vëmendjen e duhur çështjen e njohjes së patentë-shoferëve të Kosovës”.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, Kurti ka përsëritur se duhet të jetë dialog mes dy palëve të barabarta, që zgjidhë kontestet mes dy shteteve e që normalizon marrëdhëniet ndërmjet tyre.
“Kryeministri dhe kancelarja u pajtuan që procesi i dialogut duhet të jetë i drejtë, i ndërtuar mbi mirëbesim dhe se rezultati i dialogut duhet të jetë njohja reciproke”.
Kurti ka thënë se pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk mund të jenë temë e bisedimeve dhe nuk mund që Kosova të kthehet para vitit 2008.
“Ata biseduan edhe për Procesin e Berlinit dhe rëndësinë e tij në nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Në pritje të Samitit të Berlinit, që pritet të mbahet në fillim të korrikut, kryeministri Kurti theksoi se rajoni ka nevojë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, por jo për projekte si zëvendësim i BE-së. Ai shtoi se bashkëpunimi ekonomik duhet të shkojë paralel me demokratizimin e rajonit”.
“Më tej, kryeministri kërkoi nga kancelarja gjermane angazhim për liberalizmin e vizave për popullin e Kosovës. Tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe se Gjermania mund të ndihmojë ta shtyjë këtë çështje përpara”.
“Kancelarja Merkel rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.