Kurti e nis qëndrimin e tij në Athinë me një takim me kryeministrin kroat

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, qëndrimin e tij në Greqi e ka nisur me një takim me homologun e tij nga Kroacia, Andrej Plenkoviq.

Siç njofton Kryeministria, në këtë takim u fol për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë dhe potencialin që dy vendet kanë për thellim e konkretizim të mëtejmë të tyre, transmeton gazeta online Reporteri.net.

“Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin Plenkoviq për progresin dhe arritjet e vendit në rrafshin ekonomik dhe demokratik, me theks qeverisjen dy vjeçare. Ai e uroi homologun e tij dhe Kroacinë që së fundmi u bë anëtarja e 20-të e Eurozonës dhe anëtarja e 27-të e zonës Schengen, teksa e cilësoi këtë si një arritje të madhe të Kroacisë dhe Kroacinë si një model për t’u ndjekur”, njofton komunikata.

Në takim është folur edhe për zhvillimet gjeopolitike në rajon, si dhe për zbatimin e plotë të obligimeve që Kosova i ka marrë përsipër me marrëveshjen e dakorduar në Ohër.

Pamjet nga takimi, i ka publikuar edhe vetë kryeministri Albin Kurti.