Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovskin, me të cilin kanë biseduar për raportet dypalëshe dhe fqinjësore në mes të Prishtinës dhe Shkupit zyrtar.
Një bisedë e tillë telefonike vjen pas sulmeve të njëpasnjëshme që krerët e shtetit të Serbisë i kanë bërë presidentit Stevo Pendarovski pas qëndrimit kundërshtues ndaj idesë së korrigjimit të kufijve, ide të cilën e kundërshton edhe vetë kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.
Siç ka konfirmuar zyra për media e kryeministrisë përmes një njoftimi për media, pjesë e bisedës mes dy politikanëve ka qenë edhe situata me pandeminë COVID-19 dhe masat që kanë marrë qeveritë në Prishtinë dhe Shkupit për luftën dhe menaxhimin e pandemisë si dhe rimëkëmbjen e situatës pas pandemisë.
Në njoftim thuhet se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për raporte të mira me Maqedoninë e Veriut.
“Bashkëpunimi bilateral dhe rajonal është gjithmonë i rëndësishëm, por veçanërisht në kohë të sotme. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për marrëdhënie bilaterale me fqinjët e saj dhe të jetë faktor kyç dhe kontribut-dhënës në regjion”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Qeverisë.
Ditë më parë në një intervistë për Gazetën Express, Stevo Pendarovski, kishte thënë se është kundër prekjes së kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se një korrigjim i kufijve apo shkëmbimit të territoreve mund të minojë të gjithë progresin e bërë në rajon në 20 vjetet e fundit.
Fillimisht ndaj një deklarate të tillë të Pendarovskit kishte reaguar ministri i mbrojtjes së Serbisë, Aleksander Vulin, i cili kishte thënë se askush nuk i kërkon mendim Pendarovskit për atë se si duhet të zgjidhet problemi i Serbisë me Kosovës. Madje Vulin kishte atakuar Pendarovskin në baza etnike, duke i thënë se duhet të hesht meqë gjuhën maqedonase se njeh askush tjetër përveç Serbisë.
Pa reaguar nuk kishte qëndruar as presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, i cili ka thënë se i është lutur Pendarovskit që të mos flasë për çështjen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kreu i shtetit serb kishte thënë se me deklaratat kundër korrigjimit të kufijve, Pendarovski po dëshiron që t’ua bëjë qejfin Gjermanëve, meqë kryediplomati gjerman, Heiko Mass, kishte kundërshtuar prekjen e kufijve gjatë një seance në Bundestagun gjerman.
Në adresë të Pendarovskit kritika kishte lëshuar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, duke e quajtur hipokrit kreun e shtetit maqedonas.