Kurti: Ka mundësi që kemi marrë para nga Devollët

“Haraçi i homologimit do të marrë fund. Do të nisin procedurat që dogana të mos jetë afër me Devollët, në atë vend ku i ndanë vetëm një perde e hollë”.

Kështu tha Albin Kurti, kandidati për deputet i VV-së për kryeministër të Kosovës, kur u pyet në lidhje me pretendimet e ish-anëtarit të VV-së, Florin Krasniqi, që tha se Kurti i ka marrë 20 mijë euro nga kompania “Devolli”.

Ai tha se nga kompania “Devolli” ndoshta edhe ka marrë para gjatë fushatave për mbrojtje të produkteve vendore, por thotë se kjo s’i amniston ata për përfitimet e jashtëligjshme.

“Në fushatat ‘Blej Shqip’, ‘Duaje Tënden’, ‘Bojkotoni produktet e Serbisë’, ka mundësi që Devollët kanë dhënë para. Na kanë dhënë edhe billborda falas në rrugën Prishtinë-Pejë. Perandorinë e tyre nuk e kanë me qumësht e me dyshekë. Është kjo një pjesë, por pjesa tjetër e tyre është kriminale. Me qeverisjen tonë s’ka më monopole. S’janë vetëm këta. Pjesa jolegjitime e fitimet duhet konfiskuar. Nëse ata paskan dhënë dromca diku, ose kanë ndihmuar ndonjë të varfër, shumë mirë kanë bërë. Nuk mund të jem kundër kësaj. Mirëpo, kjo nuk është amnisti për asgjë”, u shpreh Kurti.

Ai tha se qeverisja e tij do të punojë që të çlirojë prokurorinë nga ekzekutivi dhe për të parë nëse “i ka penguar qeveria e PAN-it që të punojnë prokurorët”.