Gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, ka publikuar një shkrim se si Kosova mund të jetë shteti i parë në botë me shumicë myslimane që mund t’i njoh ligjërisht martesat mes gjinisë së njëjtë. Ai ka përmendur edhe pengesat që janë rrugës për miratimin e Kodit Civil.
Martenes ka cituar deklaratën e Kurtit nga vizita e tij e fundit në Berlin, prej ku tha se Kosova në të ardhmen e afërt do t’u ofrojë shtetasve të saj të drejtën për bashkësi civile mes personave të së njëjtës gjini.
Martens thekson se nëse ndodh kjo, do të ketë rëndësi përtej Kosovës, Ballkanit dhe Evropës, meqë Kosova do të ishte shteti i parë më shumicë myslimane, në të cilin çifteve të së njëjtës gjini do t’u njihej ligjërisht marrëdhënia e tyre, me të gjitha të drejtat që vijnë me të, si: Ligjin e trashëgimisë, taksat, të drejtat e pacientit, sigurimet etj, përcjell Express.
“Natyrisht, përkufizimi i Kosovës si “vend mysliman” është i paqartë dhe madje mund të jetë keqinterpretim. Sipas kushtetutës së saj, Kosova është shtet laik. Dhe realiteti në Kosovë i përgjigjet këtij përkufizimi. Por gjithsesi: Nëse qeveria miraton një ligj për çiftet e të njëjtit seks, ata në Kosovë do të gëzojnë të drejta si në asnjë vend tjetër ku myslimanët, sado sipërfaqësore që të jenë lidhja e tyre me Islamin, përbëjnë shumicën. (Dhe si në asnjë vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, përveç Malit të Zi.)”, ka shkruar Martens.
Ai përmend tentativën e dështuar për ta kaluar projekt-kodin në vitin 2022, derisa thotë se është e pasigurtë nëse Kurti do të mund ta mbajë fjalën.
Aty përmendet se kalimi i këtij projektligji dështoi pikërisht për shkak të nenit 1138, që thotë se “Lejohen bashkimet civile të regjistruara ndërmjet personave të së njëjtës gjini”.
“Megjithatë, është e pasigurt nëse Kurti do të mund ta bëjë të vërtetë njoftimin e tij. Ai e provoi një herë më parë – dhe dështoi. Kjo ishte në vitin 2022, kur Parlamenti i Kosovës nuk miratoi një kod të ri civil prej 1000 faqesh për Kosovën. Ai dështoi për shkak të një dispozite të vetme, konkretisht nenit 1138, i cili thotë: “Lejohen bashkimet civile të regjistruara ndërmjet personave të së njëjtës gjini”. Partia qeverisëse “Vetëvendosje” ishte e ndarë për këtë çështje”, ka shkruar Martens.
Përmend edhe aleancën që kishin krijuar krerët e grupeve fetare kundër projekt-kodit, derisa si më i zëshmi përmendet Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava.
“Pak para votimit në parlament, krerët e disa grupeve fetare kishin krijuar një aleancë të pazakontë për të paralajmëruar politikanët, duke nënvizuar se megjithëse mund të mos bien dakord për asgjë tjetër, ata pajtohen shumë për një gjë – jo të drejta për homoseksualët. Kontribuesi më i njohur në këtë koalicion është Naim Tërnava, lider i Bashkësisë Islame në Kosovë. Me rastin e iftarit të 10 prillit, Myftiu Tërnava sërish ka paralajmëruar qeverinë që të mos vendosë të drejtën për partneritete të të njëjtit seks.”
Ai thotë se e ka pyetur BIK nëse do ta kundërshtojnë këtë projekt-kod vetëm verbalisht, apo do të organizojnë protesta, por për përgjigjen që ka marrë thotë se do të shkruajë një tjetër herë.
Se si do të veprohet tash për ta kaluar këtë projektligj, ai ka folur me avokaten kosovare për të drejtat e njeriut, Rina Kika.
“A do të ketë një shumicë parlamentare në një përpjekje të dytë? Apo “krahu islamik” i Vetëvendosjes, siç e quajnë disa media, do ta votojë sërish kundër, me abstenimin e opozitës?”, pyet Martins.
Sipas Kikës, ka njerëz që e përdorin fenë si justifikim.
“Nuk do të flisja për një “krah islamik” në Vetëvendosje. Por ka vërtet njerëz që përdorin fenë si justifikim për të parandaluar një ligj që prezanton partneritete të të njëjtit seks”, thotë Kika, derisa shton se ka shumë deputetë të opozitës që duan ta votojnë ligjin, por se po pengoheshin ta bënin këtë nga partitë e tyre për arsye taktike, sipas saj.
Gazetari gjerman thotë se këtë herë edhe opozita mund të motivohet për ta kaluar projekt-kodin, duke e lidhur me anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Rreziqet janë të larta. Kurti bëri shtytjen e tij të fundit duke thënë se Kosova duhet t’i bashkohet Këshillit të Evropës (KE), organit kryesor evropian për të drejtat e njeriut, këtë vit. Anëtarësimi në KiE është popullor në Kosovë. Dhe parlamenti i KiE e mbështet atë. Pra, kjo mund të motivojë edhe opozitën në Kosovë.
Sipas Kikës, diskutimi në dy vitet e fundit për këtë temë e çoi përpara shoqërinë.
“Debatet, edhe në media, ishin një hap i rëndësishëm. Është mirë të kemi një debat të diskutueshëm. Si shoqëri, këto biseda duhet t’i bëjmë në Parlament”, thotë Kika.
Ai flet edhe për ndryshimin e shoqërisë kosovare në këto dy dekada. Përmendet edhe hapja lokalit “Bubble Pub”, që drejtohet nga një burrë trans dhe partnerja e tij, duke thënë se 20 vite më parë kjo do të ishte e paimagjinueshme.
Herët a vonë, pretendon Rina Kika, partneritetet e regjistruara apo edhe të drejtat e plota të martesës homoseksuale do të duhet të futen gjithsesi në Kosovë – thjesht sepse kushtetuta e vendit, e frymëzuar nga politikani i ndjerë finlandez, Martti Ahtisaari, e përcakton këtë.
Neni 37 i Kushtetutës së Kosovës e përkufizon martesën jo si një bashkim midis një burri dhe një gruaje, si në shumë vende të tjera, por si një e drejtë që i takon “të gjithëve”. Neni 27 përcakton një ndalim gjithëpërfshirës të diskriminimit, i cili përfshin gjithashtu gjininë dhe orientimin seksual.
Kombinimi i këtyre dy neneve tregon, sipas leximit të Kikës, se një çift i të njëjtit seks duhet të ketë shanse të mira për të fituar çështjen nëse shkon në Gjykatën Kushtetuese për këtë. Megjithatë, deri më sot asnjë çift nuk ka vendosur të ndjekë këtë rrugë.
“Përkundër gjithë progresit, pranimi social i personave LGBTI në Kosovë mbetet i ulët. Dhe ky është një vend shumë i vogël. Shumë kanë ende frikë të dalin publikisht”, thotë Kika. Sepse kushdo që do të jetë i pari që do të shkojë në gjykatë do të tërheqë vëmendjen e madhe, ndoshta të medias mbarëbotërore.
Megjithatë, nëse një çift do të ishte i gatshëm ta çonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese, Kika thotë se do të ishte e gatshme t’i përfaqësonte menjëherë. Në fakt, ajo është në kërkim të një çifti të tillë.