Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ka dalë në konferencë për media, ku ka folur për veprimet e fundit të Serbisë, që e quajti shtet mafioz me kryemafiozin presidentin Aleksandar Vuçiq.
Kurti tha se mungesa e sanksioneve ndaj Serbisë, e ka trimëruar dhe ka vazhduar me kërcënime, ndalime e veprime të tilla.
“Së pari po të kishte sanksione kur u rrëmbyen policët tanë, ose atëherë kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ne nuk do të ndodheshim në këtë gjendje. Arrestimet që i bënë Serbia, qofshin qytetarë të zakonshëm, apo edhe zyrtarë shtetërorë, si zv/drejtori, nuk do të vinin në shprehje.
Mungesa e sanksioneve e ka trimëruar. Ky trimërim i agresivitetit të Serbisë, që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqes një etapë të re. Kosova është shtet demokratik, shtet i së drejtës, Serbia është shtet mafioz.
Besoj që Brukseli e ka parë konferencën për media, të cilën e ka mbajtur presidenti i Serbisë. Shteti mafioz, ku kryemafiozi është presidenti Vuçiq.” – tha Kurti