“Të mirat vijnë ngadalë, por të këqijat duhen ndalur shpejt”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas shkarkimit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Të enjten Kuvendi votoi pro shkarkimit të këtij bordi, e sipas Kurtit, kjo ka qenë votë që “të ndalet tjetërsimi e zhvatja”.
“Ky është vetëm hapi i parë drejt shuarjes së këtij institucioni, gjë që hap rrugën për themelimin e Fondit Sovran. Si Qeveri, sot po ashtu jemi autorizuar që të propozojmë një bord të ri para Kuvendit, bord i cili do të ketë një mandat të ri, në përputhje me strategjinë zhvillimore të Qeverisë sonë”, ka vazhduar ai në postimin e tij në Facebook.
Disa herë gjatë seancës së sotme, Kurti i ka cilësuar anëtarët e bordit të AKP-së si hajna.
“Kemi thënë që AKP do të shuhet dhe AKP do të shuhet. Por që të shuhet AKP është e rëndësishme që njëherë të shkarkohet bordi se kanë vjedhur shume e na nuk do ti lejojmë më. Kanë vjedhur në paga e në privatizime. Janë paguar për të vjedhur”, ka thënë ai.