Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar të vrarët në masakrën e Makocit, në 21 vjetorin e saj.
Sipas Kurtit, ani se kanë kaluar 21 vjet nga kjo masakër, ende askush prej urdhërdhënësve dhe prej ekzekutuesve të këtyre krimeve as nuk është gjykuar e as nuk është dënuar.
Postimi i plotë i Kurtit:
21 vjetori i masakrës në Makoc
Forcat policore e ushtarake serbe e jugosllave në fshatrat e Gollakut vetëm në periudhën 19-23 prill 1999 vranë barbarisht 115 civilë të pafajshëm. Mosha e të masakruarve ishte prej 7 vjeç (Fortesë Rusinovci) e deri 98 vjeç (Hamide Zuka). Masakra më e tmerrshme dhe më masive e këtyre ditëve kishte ndodhur më 21 prill 1999 në fshatin Makoc, rreth 7 km në veri të Prishtinës, prandaj prej 115 të masakruarve nëpër fshatrat e Gollakut, 93 u rivarrosën pas luftës në fshatin Makoc, në tokën që e dha falas Mihrije Krasniqi. Ndonëse kanë kaluar 21 vjet, ende askush prej urdhërdhënësve dhe prej ekzektuesve të këtyre krimeve as nuk është gjykuar e as nuk është dënuar. Këtu po i shfaqim edhe dy fotografi të Ridvan Slivovës nga ajo kohë e ky vend.
Me Këshilltarin tim politik, Shkëlzen Gashi, sot bëmë nderime dhe vendosëm lule të freskëta te Memoriali në Makoc.