Qeveria në dorëheqje e ka shkarkuar nga pozita e anëtarit dhe Kryetarit të Bordit të Shërbimit Klinik Spitalor të Kosovës, Naser Ramadanin, i cili mban edhe funksionin e Shefit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Ramadani ishte njeriu kryesor që rekomandoi mbajtjen e seancës ku u votua me sukses shkarkimi i Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, i cili s’i mbushi as dy muaj në krye të Ekzekutivit.
Në emër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Ramadani dërgoi një mendim profesional ku tha se seanca mund të mbahet me disa masa për të cilat asistuan zyrtarët mjekësorë.
Qeveria është arsyetuar se vendimi për shkarkimin e Bordit ka ardhur për arsye se ai nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë dhe se ka dështuar në arritjen e objektivave.
Ndërkohë, Qeveria ka emëruar Bordin e ri të SHSKUK-së. Kryetar i Bordit është emëruar Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me mandat 1-vjeçar, ndërsa anëtarët e tjerë të bordit janë: 1. Dr. Agreta Gecaj – Gashi – Qendra Klinike Universitare e Kosovës; 2. Dr. Aida Rexhepi– Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës; 3. Dr. Xhevat Jakupi – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike; 4. Dr. Diana Dafota – Spitali i Përgjithshëm Gjakovë – Në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore; 5. Dr. Sadete Hadri – Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor; 6. Dr. Mirsad Shkreta – Ministria e Shëndetësisë; 7. Një (1) ekspert i menaxhmentit shëndetësor, i zgjedhur në bazë të konkursit publik.
Statuti i Shërbimit Klinik Spitalor kërkon që në Bordin e SHKSUK’së të jetë edhe një anëtar i Ministrisë së Shëndetësisë. Qeveria ka dërguar në këtë bord ish-kandidatin për deputet të VV’së, Mirsad Shkreta.