Gazetar, komunikues, këshilltar politik, së fundmi edhe drejtor i marrëdhënieve midis presidencës ukrainase dhe shërbimeve sekrete. Mihailo Podoliak është një nga figurat më komplekse që qëndron në krah të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski.
I lindur në Lviv në vitin 1972, Podoliak u arsimua midis Ukrainës dhe Bjellorusisë. Ai u zhvendos në kryeqytetin bjellorus Minsk në vitin 1989 ku studioi për mjekësi. Që në moshë të re iu përkushtua gazetarisë politike në vendin e sunduar nga autokrati Aleksandër Llukashenko.
Ai iu bashkua gazetarëve të opozitës, duke u bërë një pikë referimi për një seri organizatash të shoqërisë cive. Gjatë viteve 1991-1992, Podoliak punoi në gazetat bjelloruse “FM-Bulevard”, “Vremya”, “Narodnaya Volya” dhe “Belorusskaya Delovaya Gazeta”.
Në vitin 2002, Podoliak dhe gazeta bjelloruse “Nasha Svoboda” u paditën në gjykatë nga Anatoli Tozik, kreu i Komitetit Shtetëror të Kontrollit të Bjellorusisë, të cilit nuk i pëlqeu fakti që gazetari e portretizoi atë si një planifikues, si ata në kohën e komunizmit dhe si një shantazhues. Gjykata e detyroi gazetarin të paguante një gjobë prej 2700 dollarësh.
Gazeta e tij pagoi një dëmshpërblim prej 54.000 dollarësh, dhe u detyrua të mbyllej. Gazetari investigativ, Pavel Zhuk, tha në atë kohë se dyshonte se padia që synonte mbylljen e gazetës ishte urdhëruar personalisht nga presidenti Llukashenko. Por Podoliak nuk e ndërpreu punën në atë sektor, dhe në vitin 2004 u emërua zv/kryeredaktor në gazetën “Vremya”, që u bë gazeta e re mbështetëse e opozitës.
Në mëngjesin e 21 qershorit 2004, oficerët e KGB-së bjelloruse trokitën në derën e shtëpisë së tij, e urdhëruan të paketonte me shpejtësi rrobat dhe e shoqëruan në stacionin hekurudhor të Minskut. Nga atje, gazetari u detyrua të merrte trenin e parë për në Odessa, duke u rikthyer me forcë në Ukrainë.
Podoliak tha se ai dëbim erdhi pas artikujve të tij shumë kritikë ndaj qeverisë dhe KGB-ja e akuzoi atë për tendenciozitet, shpifje dhe destabilizimin e situatës në vend. Po ashtu atij iu hoq për 5 vite e drejta për të hyrë në Bjellorusi. Në vitin 2005, Podoliak u emërua kryeredaktor i një gazete në Kiev, “Ukrainska Gazeta”.
Nëntë muaj pas helmimit të kandidatit presidencial Viktor Jushçenko, gazeta botoi një artikull me titull “Darka e Fundit”. Për helmimin u akuzuan njerëzit e afërt të Jushçenkos, David Zhvania dhe Jevhen Çervonenko. Podoliak u thirr për t’u marrë në pyetje nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, dhe disa ekspertë të medias thanë se botimi nuk përmbushte standardet gazetareske.
Paralelisht, gazetari punoi si një profesionist i pavarur dhe ekspert i marrëdhënieve me publikun. Më pas Podoliak bashkëpunoi me gazeta të ndryshme si reporter politik dhe i brendshëm për çështje të tilla si inteligjenca dhe siguria kombëtare.
Gazeta ukrainase “Babel” shkruan se një nga miqtë e Podoliak në vitet 2000 ishte këshilltari i atëhershëm i kreut të SBU, kundërzbulimit ukrainas, Vadim Hrib. Në mediat ukrainase kanë qarkulluan zëra se Podoliak bashkëpunoi me Hrib si specialist i marrëdhënieve me publikun.
Por Babel, pretendon se bëhej fjalë më shumë për një punë agjenturore, të nisur që në vitin 2005.
Më vonë Podoliak u bë kryeredaktor i faqes së internetit “Obozrevatel”, të cilën ai e drejtoi që nga dhjetori 2011. Gjashtë muaj më vonë u bë këshilltar i një bashkëpunëtori të ngushtë të ish-presidentit Viktor Janukoviç, që më pas u kthye në pushtet si një udhëheqës i hapur pro-rus.
Politikani në fjalë ishte deputeti i Partisë së Rajoneve Juri Ivanjushçenko. Pas Revolucionit Euromaidan të vitit 2014, Podoliak, që u largua nga “Obozrevatel” në fundin e 2013, ndryshoi qasje dhe në vitin 2015 u ofrua të bashkëpunonte me kreun e administratës presidenciale të Petro Poroçenkos, Boris Lozhkin.
Më vonë vazhdoi të punojë si këhsilltar për disa politikanë në fushatat elektorale lokale dhe kombëtare, përpara se të përfundonte në rrugëtimin e tij me yllin në rritje në politikën ukrainase, Volodimir Zelenski. Podoliak nuk e ka fshehur kurrë kuriozitetin e tij për ngritjen politike të ish-komedianit.
Por në fillim ai ishte shumë spektik ndaj partisë së tij, Shërbëtori i Popullit, që e mori emrin e saj nga seriali televiziv që e bëri Zelenskin të famshëm në mbarë vendin. Në fillim të vitit 2019, në mesin e fushatës presidenciale, në blogjet dhe postimet e tij në Facebook, ai shkruante se “Shërbëtori i Popullit” rezultoi të ishte një tjetër grumbullim cinikësh mendjengushtë dhe arrogantë”.
Por pas fitores së tij, Zelenski e ftoi Podoliak të bëhej pjesë e stafit të tij. Në shkurtin e vitit 2020 ai u emërua shef i kabinetit të presidentit. Dy muaj më vonë, Podoliak u emërua në bordin e drejtorëve. Në këtë funksion ai vuri në zbatim njohuritë dhe aftësitë e tij duke i dhënë mundësi kreut të ri të shtetit të gjente konsensusin me organet e sigurisë.
Këto aftësi i erdhën në ndihmë Zelenskit sidomos pas 24 shkurtit, ditës së pushtimit të Ukrainës nga Moska, kur ai u shndërrua në “zërin” kryesor të presidencës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër drejtues i luftës asimetrike të kryer nga agjentët ukrainas të shërbimeve sekrete, në mënyrë të pavarur nga inteligjenca perëndimore.
Gjatë luftës, Podoliak ka qenë një nga zërat kryesorë të Kievit në negociatat e shkurtra për paqe që u zhvilluan pa asnjë sukses me rusët. Ai dilte shpesh në media për t’i treguar botës momentet e rezistencës së fortë të Kievit; dhe punoi në prapaskenë për të organizuar operacionet e fshehta që e tronditën Rusinë, ku më i fundit ishte sulmi në Urën e Kerçit në fillim të tetorit.
Në një intervistë të gjatë dhënë më 16 gusht për britaniken “The Guardian”, Podoliak tha se synimi aktual i ukrainasve është “të shkaktojnë kaos midis forcave ruse”, duke goditur linjat e furnizimit dhe bazat ruse në Krime.
Sipas tij, nuk ka asnjë perspektivë që Rusia të negociojë seriozisht derisa të pësojë një disfatë në fushën e betejës. Kur më 24 gusht, Llukashenko e uroi në një mënyrë provokative Ukrainën për 31-vjetorin e pavarësisë, Podoliak e nxiti Zelenskin ta refuzonte deklaratën, dhe e quajti mesazhin e presidentit bjellorus si “cinik dhe të pasinqertë, duke pasur parasysh përfshirjen e madhe të Bjellorusisë në sulmin rus ndaj Ukrainë”.