Dje skuadra e Real Madridit bëri përmbysjen e madhe ndaj futbollistëve të Pep Guardiolës. Madrilenët e Ançelotit kanë prishur ëndrrat e Guardiolës, duke fituar 3-1 pas kohës shtesë ndaj Mançester Sitit (ndeshja e parë 4-3 për Sitin).
Një kualifikim drithërues, që ka edhe fatin brenda, por Reali tregoi se është i pavdekshëm dhe një ekspert Championsi. “Qytetarët” e humbën finalen në 2 minuta, pasi kryesonin 0-1 deri në minutën e 89-të.
Në fushën e “Santiago Bernabeut” është shpalosur edhe flamuri shqiptar. Një tifoz shqiptar u ka shpëtuar rojeve të sigurisë dhe ka vrapuar në tapetin e gjelbër për të takuar idhullin e tij, Karim Benzema, me flamurin kuqezi në dorë.
Pas pak sekondash ai u shoqërua jashtë nga stjuardët e stadiumit. Flamuri shqiptar i ka sjellë fat sulmuesit francez, pasi më pas shënoi golin e kualifikimit.
Mediat raportojnë se i riu që u fut në fushë është një shqiptar nga Shkupi i cili quhet Agim, jeton në Frankfurt të Gjermanisë dhe menaxhon një klub nate shumë të njohur. Duket se ai është një tifoz i madrilenëve, dhe për këtë shkak ka marrë përsipër rrezikun për t’u ndëshkuar, duke u futur në fushë me flamurin kuqezi.