Përkundër që Kosova është shumë afër liberalizimit të vizave, shumë qytetarë nuk po hezitojnë që t’u drejtohen ambasadave të huaja për t’u pajisur me vizë.
Gjatë javës, Ekonomia Online ka qëndruar në para Ambasadës zvicerane në Prishtinë. Aty, qindra qytetarë kërkuan e u pajisen me lloj-lloj vizash. Disa për bashkim familjarë e disa për vizita.
Vizë për vizitë tek vëllai i tij kërkoi edhe Shkëlqim Bllaca nga Podujeva.
“Kam aplikuar të enjten e mora sot, ama kam pas vizë urgjente me letra të mjekut. Jam duke shkuar për një vizitë tek vllai në Zvicër”.
Edhe Latif Krasniqi së bashku me bashkëshorten e tij, gjatë javës kërkuan për t’u pajisur me vizë për në Zvicër. Thotë se atje e kanë djalin e tyre.
“Kam aplikuar për në Zvicër, e kam djalin atje. Më herët kemi pas vizë për tri vjet, tash e kërkuam për pesë vite, ndoshta na japin”, thotë Krasniqi.
E shqetësuese migrimin po e konsideron edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu. Ai për Ekonomia Online thotë se krahas të papunëve ka filluar të humb edhe shpresa për të jetuar në Kosovë.
“Migrimi apo ikja e të rinjve nga Kosova është një fenomen shqetësues që ka kaluar në trend, në këtë drejtim duhet të thuhet e vërteta që nga Kosova nuk po ikin vetëm të papunët apo rastet sociale. Janë disa kategori të njerëzve që po ikin, janë të papunë, për bashkim familjarë dhe e treta që është shumë shqetësuese është fakti se po humb shpresa se në Kosovë mund të jetohet. Besoj se është koha kur duhet të trajtohet ky fenomen”, thotë ai.
Shkak për ndaljen e këtij fenomeni, sipas Gërxhaliut duhet të ketë stabilitet ekonomik.
“Është e vërtetë që stabiliteti politik është prioritet që duhet të arrihet dhe pa stabilitet politik nuk ka zhvillim ekonomik, dhe nëse nuk kemi zhvillim ekonomik atëherë humb edhe perspektiva, prandaj është një fenomen që duhet të trajtohet dhe nuk duhet të anashkalohet e as të neglizhohet. Kush mund të garantojë që në vitin 2030 apo 2035 në Kosovë do të ketë 800 mijë banorë nëse vazhdohet me këtë ikje ku brenda vitit në mënyrë legale e braktisin Kosovën afër 60 mijë veta”